Politike

Lindja e Mesme, Ukraina dhe NATO / Gjermania mbledh 60 kryetarë shtetesh, ndër ta Rama, Kurti dhe Vuçiç

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, që do të mbahet ne datat 16-18 shkurt.

E cilësuar si  “Davosi i Mbrojtjes”, Konferenca e Sigurisë së Mynihut do të mbledhë rreth 60 krerë shtetesh dhe mbi 85 zyrtarë qeveritarë në qytetin bavarez për të diskutuar çështjet aktuale dhe të ardhshme të sigurisë globale.

Në fokus të diskutimeve do të jenë lufta në Rripin e Gazës dhe shqetësimin për zgjerimin e konflikteve në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë dhe zgjerimi dhe forcimi i NATO-s. Në takim do jetë i pranishëm edhe vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Presidenti i Izraelit Isaac Herzog dhe kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh do të flasin gjithashtu në konferencë. Ministri i Punëve të Jashtme kineze Ëang Yi, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe nënpresidentja e SHBA Kamala Harris do të jenë ndër figurat e tjera kryesore politike të pranishëm.

Siguria është rritur në të gjithë qytetin, me 5,000 policë dhe automjete përforcuese të dukshme në shumicën e rrugëve kryesore. Takimi i liderëve pritet të shoqërohet me protesta, ku qindra protestues pritet të mblidhen jashtë vendit ku zhvillohet konferenca, Hotel Bayerischer Hof, për të protestuar për atë që ata quajnë shkelje të të drejtave të njeriut nga Irani.

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti, ndërkaq Serbinë presidenti Aleksandër Vuçiç. Kjo është hera e dytë që të dy përballen pas vendimit të Kosovës për heqjen e pagesave me dinar serb.

Ky vendim ka hyrë në fuqi më 1 shkurt në mes të kritikave ndërkombëtare dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në një postim të ndarë rrjetin social X, shkruan se do jetë edhe ajo e pranishme dhe se do të zhvillojë takime “për disa nga sfidat më urgjente të sigurisë së sotme, duke përfshirë kërcënimet në rritje të sigurisë ndaj Kosovës dhe rajonit”.

Ndërkohë Presidenti i Ukrainës Zelensky pritet të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe sigurie me kancelarin Olaf Scholz


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë