Drejtësia

Denoncoi se u kanos dhe iu dha mbrojtje nga Garda, gjyqtarja merret e pandehur për kallëzim të rremë. KLGJ e pezullon: Letrën e shkroi vetë

Gazeta Si – KLGJ ka pezulluar nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, Arnisa Këlliçi pasi u mor e pandehur për kallëzim të rremë, pas pretendimeve se ishte kërcënuar me jetë. Prokuroria e Tiranës njoftoi se gjyqtarja do të hetohet për veprën penale kallëzim i rremë dhe falsifikim dokumentesh.

Në një kallëzim të depozituar më 20 janar, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës pretendoi se kishte marrë një letër kërcënuese që ia kishin vendosur në zyrën e saj, por sipas organit hetues ka rezultuar se Arnisa Këlliçi e kishte shkruar vetë.

“Në funksion të hetimeve paraprake për sa është kallëzuar, nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive me qëllim sigurimin e provave të ngutshme sikurse administrimi i pamjeve filmike pranë gjykatës, marrja në pyetje e personave, marrja e modeleve të lira dhe eksperimentale, këqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerja e ekspertimeve dhe në përfundim është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesja shtetasja Arnisa Këlliçi”, njoftoi prokuroria.

Në denoncimin e saj, gjyqtarja është shprehur se kur ka shkuar në zyrë pasi kishte një seancë gjyqësore, me objekt, shuarje mase sigurimi gjeti në tavolinën e saj të punës mbi dosje një zarf dhe brenda tij ishte letra, të cilën pasi e kishte lexuar, e ka futur në kasafortë.

“E dashur gjyqtare A….., keni dy fëmijë, D…… dhe R…….. Mendoni për ta se mund të rroni ju e jo ata dhe kjo është e rëndë. Me respekt!”, shkruhej në letrën që gjyqtarja pretendoi se i kishe shkuar me anë të postës në zyrën e saj në institucionin e drejtësisë.

Qëllimi sipas Prokurorisë së Tiranës ka qenë që Arnisa Këlliçi të merrte përfitime që në fakt nuk i takojnë. Për këtë arsye, ajo është marrë e pandehur për 2 akuza “Kallëzim të rremë” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Skema e gjyqtares ka nisur më 20 janar, ku ajo është paraqitur në Komisariatin numër 3 në Tiranë dhe ka bërë një kallëzim. Ajo ka pretenduar se i ka ardhur një letër me anë të postës.

Gjyqtarja thotë se e ka gjetur letrën në zyrën e saj në tavolinën e punës mbi dosje, e cila ishte futur në një zarf. Gjyqtarja ka pretenduar se pasi e ka lexuar e ka futur në kasafortë.

“Për këtë letër nuk ka asnjë të dhënë tjetër apo dyshime, por është ndjerë e trembur, sepse janë përdorur emrat e fëmijëve të saj”, njoftoi prokuroria.

Megjithatë ka qenë akti i ekspertimit grafik që ka vërtetuar se autorja e letrës ishte vetë ajo. Prokuroria shpjegon se ka vënë në dijeni Këshillin e Lartë Gjyqësor për faktet e mësipërme.

Po ashtu, Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë dhe aktet do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit.

Organi hetues ka marrë si të pandehur gjyqtaren për veprën penale të “Kallëzimit të rreme”, si edhe është administruar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, kërkesa për mbrojtje që Arnisa Këlliçi kishte dërguar më 20 Janar, duke vënë në lëvizje këtë institucion, i cili dy ditë më vonë vendosi ruajtjen fizike të magjistrates dhe familjes së saj, për një periudhe 3-mujore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë