Sindroma e vezores policistike, e njohur si PCOS, ka qenë prej kohësh e njohur për simptoma të tilla si mungesa e periodave ose qimet e tepërta të trupit. Tani, hulumtimi i ri ka zbuluar një tjetër efekt të mundshëm: mosfunksionim njohës më vonë në jetë.
Kjo është zbuluar në një raport shkencor të botuar në revistën Neurology.
“Ky është një nga studimet e pakta për të hetuar funksionimin njohës dhe rezultatet e trurit tek gratë në moshën e mesme”, thotë Dr. Pauline Maki, profesoreshë në Universitetin e Illinois Çikago.
Sindroma e vezores policistike i referohet simptomave që lidhen me një çekuilibër hormonal. Shenjat treguese mund të përfshijnë “ndryshimet e ciklit menstrual, ndryshimet e lëkurës si rritja e qimeve në trup, puçrrat dhe infertiliteti”.
Gjendja kronike prek rreth 8% deri në 13% të grave në mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por deri në 70% mund të përjetojnë PCOS ndërsa nuk janë diagnostikuar.
Studimi i ri përfshiu 907 pjesëmarrëse gra, nga mosha 18 deri në 30 vjeç në fillim të studimit, të cilat u ndoqën për 30 vjet. Pjesëmarrëset në studim përfunduan teste mbi kujtesën, aftësitë verbale, vëmendjen dhe shpejtësinë e përpunimit. Në testin e vëmendjes, 66 gratë me PCOS shënuan mesatarisht rreth 11% rezultate më të ulëta krahasuar me pjesëmarrësit pa këtë gjendje. Ata me këtë gjendje gjithashtu shënuan më pak rezultate në matjet e kujtesës dhe aftësive verbale.
“Ndërsa PCOS ka qenë i lidhur me sëmundjet metabolike si obeziteti dhe diabeti që mund të çojnë në probleme të zemrës, më pak dihet se si kjo gjendje ndikon në shëndetin e trurit,” thotë Heather G. Huddleston, drejtoreshë e Universitetit të Kalifornisë në San Francisko.
“Rezultatet tona sugjerojnë se njerëzit me këtë gjendje kanë aftësi më të ulëta të kujtesës dhe të të menduarit dhe ndryshime delikate të trurit në moshën e mesme. Kjo mund të ndikojë një person në shumë nivele, duke përfshirë cilësinë e jetës, suksesin në karrierë dhe sigurinë financiare.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




