Qeveria Rama tre ditë përpara mbledhjes së përbashkët mes qeverive të Tiranës dhe Prishtinës, ka marrë vendimin e veçantë për ngritjen e doganës së Kosovës në Portin e Durrësit.
Më datën 23 nëntor, me një VKM të posaçme, qeveria ka përcaktuar mënyrën e zhdoganimit të mallrave me destinacion Kosovën nga vetë dogana e Prishtinës dhe jo nga ajo e Durrësit. Në të njëjtën kohë po me këtë vendim Tirana zyrtare i ka dhënë të drejtën që Kosova të ketë doganën e saj edhe në Porto-Romano, zona ku ankorohen anijet me karburante apo me gaz.
Unifikimi i praktikave doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës sipas marrëveshjes së qeverisë është parashikuar që të ndodhë brenda gjashtë muajve.
Punonjësit doganorë të Doganës Durrës detyrohen të bashkëpunojnë dhe shoqërojnë zyrtarët e Doganës së Kosovës në kryerjen e funksioneve të tyre. Me përfundimin e procedurave të kontrollit nga zyrtarët e Doganës së Kosovës, vijohet me formalitetet doganore shqiptare. Në rastet kur gjatë kontrolleve të kryera nga personeli zyrtar i Doganës së Kosovës konstatohen mallra të ndaluara apo trafikim i qenieve njerëzore, njoftohen menjëherë organet e policisë dhe ato doganore shqiptare.
Dega e Doganës Durrës duhet t’u mundësojë zyrtarëve të Doganës së Kosovës përdorimin e peshores apo të mjeteve të tjera në administrim të saj, për ushtrimin e detyrave të përcaktuara.
Për kryerjen e deklarimit të mallrave dhe të veprimeve të tranzitit në Republikën e Shqipërisë, përfshirë vendosjen e garancisë për borxhin e mundshëm në këtë regjim, njihen licencat e agjencive doganore të Republikës së Kosovës.
Pas dorëzimit zyrtar të listës dhe të kopjeve të licencave nga Dogana e Kosovës, këto agjenci regjistrohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me qëllim njohjen dhe regjistrimin nga Dogana e Kosovës, dërgon pranë kësaj të fundit listën dhe kopje të licencave të agjencive doganore të Republikës së Shqipërisë.
Bazuar në indikatorët dhe analizën e riskut, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, përgatit listën e mallrave me risk, për të cilat nuk mund të zbatohet procedura e referuar për mallrat që kanë si destinacion Kosovën.
Autoriteti Portual i Durrësit, Ministria e Brendshme apo subjektet e tjera të përfshira sigurojnë lejet e hyrjes për zyrtarët e Doganës së Kosovës, në ambientet e Portit të Durrësit dhe Porto-Romano, sipas listës që dërgohet nga Dogana e Kosovës dhe konfirmuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Zyrtarët e Doganës së Kosovës që ushtrojnë funksionet duhet të jenë të pajisur me uniformë apo me kostume civile me jelek me shenja identifikuese të Doganës së Kosovës. Mjetet e transportit të Doganës së Kosovës lejohet të kenë mbishkrimet dalluese të saj.
Autoriteti Portual i Durrësit apo subjektet e përfshira mundësojnë furnizimin me ujë, energji, lejimin e sjelljes së pajisjeve për mobilimin e zyrave dhe gjetjen e hapësirave për zyra dhe të një sheshi për kontroll fizik, ku zyrtarët e Doganës së Kosovës të kenë mundësi të kryejnë funksionin të zbatimit të këtij vendimi. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Zyra doganore e Kosovës lidh kontratat përkatëse, duke përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Dy qeveritë në mbledhjen e zhvilluar më 26 nëntor në Pejë ranë dakord që brenda gjashtë muajve të unifikojnë doganat, të heqin tarifën e romingut dhe të heqin tarifat doganore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




