Nga Sorgena Leka – Në vitin 1998 Shqipëria zhduku sëmundjen infektive të fruthit, falë vaksinimit masiv që nisi tek fëmijët 1-5 vjeç.
Por, me shfaqjen e sëmundjes së autizmit dhe lajmeve të qarkulluara në internet për lidhjen mes vaksinës dhe sëmundjes, pati një hezitim nga prindërit për të kryer këtë lloj vaksine dhe prej vitit 2016, në vendin tonë numërohen vit pas viti raste të reja.
Për këtë arsye, prej vitit 2018, Shqipëria nuk është më një vend i sigurt pa fruth, por ka statusin e vendit të rriskuar nga sëmundjet infektive, fruth e rubeolë.
Sot u konfirmua se në vendin tonë janë 11 fëmijë të infektuar me fruth, vetëm një ditë pas alarmit të OBSH për shpërthimin e fruthit në Europë.
Valbona Shahinaj, mjeke pediatre tregon për Gazetasi.al se fruthi është sëmundja më infektuese nga të gjitha sëmundjet ngjitëse. Në një hapësirë të vogël, një person i prekur mund të infektojë deri në 20 persona përnjëherë.

“Rastet që janë konfirmuar kanë lidhje familjare por sa të tjerë mund të kenë infektuar deri në momentin që janë konfirmuar? Rrjeti i përhapjes është shumë i madh. Një fëmijë mund të jetë i infektuar me fruth por të ketë vetëm temperature. Në këtë rast, ekziston një mundësi shumë e madhe që ai fëmijë të infektojë fëmijë të tjerë në çerdhe, shkollë apo park”, thotë Shahinaj, duke rekomanduar se në periudha infektimi, prindërit duhet të mundohen që t’i mbajnë fëmijët larg grumbullimeve të mëdha.
“Fruthi mund të merret nga kontakti fizik por edhe duke prekur diçka që ka prekur personi i infektuar”.
Fruthi i kap të gjithë, edhe të vaksinuarit por rëndesa dhe agresiviteti që ka është ndryshe tek pacientët që kanë bërë vaksinën në krahasim me pacientin që nuk ka bërë vaksinën.
Simptoma e parë e fruthit është temperatura e lartë dhe më pas, ndoshta dhe pas një dite, fillojnë dhe shfaqen shenjat në lëkurë që janë tipike të fruthit.
Si të bëhet dallimi midis shenjave të fruthit dhe lisë?
Mjekja pediatre tregon për Gazetasi.al se për prindërit nuk është e thjeshtë të bëhet dallimi midis shenjave të lisë dhe fruthit.
Shenjat në pamje të parë janë të njëjta por ndryshojnë në formë dhe në pozicionim.
Shenjat e lisë janë në formë pike uji ndërkohë që shenjat e fruthit janë në formë më rrumbullake. Gjithashtu, shenjat në lëkurë janë më të grumbulluara dhe e skuqin gjithë trupin në rastin kur personi është i infektuar me fruth. Ndërkohë në rastin e infektimit me linë, shenjat janë në pika të ndara, larg nga njëra-tjetra.
Mjekja pediatre këshillon prindërit që menjëherë sa fëmijët të kenë temperaturë, edhe 37 e gjysmë, të mos e dërgojë fëmijën në kopsht apo shkollë dhe sapo të vejë re shenjat në trup, të shkojë menjëherë tek mjeku i familjes.
Edhe të rriturit duhet të tregojnë kujdes
Edhe të rriturit e kalojnë fruthin, duke qenë se bërja e vaksinës nuk e parandalon infektimin.
Por duke qenë se të rriturit janë pjesa më e madhe e vaksinuar, nuk rrezikojnë të infektohen rëndë.
Mjekja pediatre thotë se një fëmijë mund të infektojë të gjithë familjen, ndërkohë që nuk kalohet pa simptoma.
Rëndësia e vaksinimit tregohet edhe në shtrimet në spital.
Pediatrja tregon për Gazetasi.al se zakonisht në vendin tonë shtrohen fëmijët që nuk janë të vaksinuar.
Arsyet pse prindërit nuk i vaksinojnë fëmijët
Mjekja thotë se shpesh herë, prindërit mendojnë se fëmija do e kalojë fruthin sido të jetë dhe prandaj nuk e shohin të udhës të rrezikojnë që fëmija të ketë autizëm. Gjithashtu nuk e shohin si një infektim të rrezikshëm.
Ajo shton se prindërit janë të informuar për rrezikun që ka fruthi por i japin më shumë rëndësi autizmit dhe kanë më shumë frikë autizmin.
“Por me mosvaksinim riskojnë një gjë shumë më të madhe sepse nuk dihet kurrë se deri në çfarë mase mund të infektohet një fëmijë dhe sa imunitet ka që ta kalojë një infektim pa rrezikuar”, thotë mjekja, duke shtuar se me infektimin me fruth një fëmijë mund të shkojë deri në pneumoni intersticiale, një pneumoni që prek indin e mushkërive dhe mund të shkaktojë probleme me frymëmarrjen. Gjithashtu mund të bëhet edhe kronike. Kjo është një pneumoni shumë e vështirë për bebet e vogla dhe prandaj fruthi është cilësuar si një patologji shumë e vështirë.
“Unë kam pasur raste që fëmijët kanë zhvilluar edhe patologji post-fruth që është shumë e vështirë për fëmijët që ta kalojnë. Janë kryesisht fëmijë të vegjël dhe imuniteti i tyre është më delikat. Është e vështirë të shkojë deri në vdekje por risku është”, thotë mjekja pediatre.
Vaksina MMR siç njihet ndryshe vaksina trivalente Fruth, Rubeol dhe Parotit (shytat), është një vaksinë e kombinuar kundër tre sëmundjeve infektive e cila aplikohet në moshën 1 dhe 5 vjeç.

Vaksina trivalente mund të bëhet pranë çdo qendre shëndetësore por edhe në spitalet private përkatëse. Kjo është një vaksinë që merret e ndarë në dy doza, të cilat injektohen përkatësisht në moshën 1 dhe 5 vjeçare tek fëmija. Në disa raste nënat preferojnë t’ia bëjnë fëmijës këtë vaksinë në periudhën 12-15 mujore si edhe 5-6 vjeçare. Në rastet më të veçanta, kur mjeku e shikon të domosdoshme marrjen e dozës së dytë, kërkon të bëhet më herët injektimi, por pa tejkaluar limitin 28 ditor nga marrja e dozës së parë.
Sipas ISHP, po vihet re gjithnjë e më shpesh se prindërit kanë tendencë ta shtyjnë vaksinën dhe të aplikojnë dozën e parë të kësaj vaksine tek fëmijët mbi 15 muaj deri ne 20-24 muajsh.
ISHP thotë se kjo tendencë vihet re në disa qytete si: Tiranë, Durrës, Elbasan etj.
Kjo ka detyruar ekspertët e shëndetit publik t’i rikthehen edhe njëherë strategjisë së vaksinimit duke futur në program fushatat ndërgjegjësuese.
“Departamenti i Sëmundjeve Infektive dhe programi i vaksinimit ka përgatitur një plan të aktiviteteve për të ndërgjegjësuar prindërit, komunitetet, çerdhet, kopshtet, shkollat dhe personelin shëndetësor në lidhje me rëndësinë e vaksinimit ndaj Fruthit, Rubeolës dhe Parotitit viral (shytave) dhe po e zbaton atë”, thotë ISHP.
Ndërkohë, burime për Gazetasi.al thonë se në shkolla kërkohet libri i vaksinimit kërkohet për fëmijët që futen për herë të parë në kopsht dhe në klasë të parë por pak herë kontrollohet nëse fëmijët i kanë bërë të gjitha vaksinat.
“Kërkohet kalendari i vaksinimit për fëmijët që regjistrohen për herë të parë në kopsht dhe për fëmijët që futen në klasë të parë por fakti është se jo të gjitha shkollat i kontrollojnë me imtësi se cilat vaksina ka bërë fëmija dhe cilat nuk ka bërë”, thonë burimet për Gazetasi.al.
Ministrja Koçiu: Vaksinimi në kohë mbron fëmijët nga fruthi, rubeola dhe shytat
Për shpërthimin e fruthit ka reaguar edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Koçiu thekson se vaksinimi në kohë i fëmijëve siguron një mbrojtje më të mirë.
“Për të mbrojtur fëmijët tuaj nga fruthi, rubeola dhe shytat, duhet patjetër t’i vaksinoni në kohë, sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit. Ndiqni këshillat dhe udhëzimet e mjekëve pediatër për të siguruar një mbrojtje më të mirë për fëmijët tuaj”, shprehet Koçiu teksa ka publikuar edhe mesazhin e mjekes pediatre Melida Agastra.
“Gjatë praktikës së punës së përditshme te konsultori i fëmijës, ne si mjekë pediatër, por edhe punonjësit e tjerë shëndetësorë që janë dhe infermieret tona, në të përditshmen tonë kemi si detyrë të punës sonë të bindim dhe të ndërgjegjësojmë prindërit që të sjellin fëmijët pranë konsultorit tonë, për të bërë vaksinimin e përcaktuar nga kalendari kombëtar i vaksinimit, dhe në veçanti vaksinën që mbron nga fruthi, rubeola dhe shyta. Kjo është një vaksinë shumë e rëndësishme që u jep mbrojtje gjatë gjithë jetës fëmijëve. Prindër të dashur, duhet patjetër t’i vaksinoni fëmijët tuaj për mbrojtjen nga sëmundjet e fruthit, rubeolës dhe shytave përveç edhe vaksinave të tjera që kryhen rregullisht. Kjo është një ndër vaksinat që prindërit hezitojnë të vijnë në kohën e duhur apo nga informacionet e gabuara, kërkojnë që të shtyjnë afatin kohor të kryerjes së kësaj vaksine”, shprehet mjekja Agastra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




