Gazeta Si- Komisioni për mbrojtjen e magjistratëve miratoi këtë të hënë kërkesën e gjyqtares Arnisa Këlliçi për mbrojtje të posaçme nga Garda e Republikës.
Mbrojtja e Posaçme nga Garda e Republikës është miratuar për një afat kohor 3 mujor me të drejtë rishikimi në fund të këtij afati kohor.
Kallëzimi dhe kërkesa erdhi nga gjyqtarja Arnisa Këlliçi e cila deklaroi se ishte kërcënuar përmes një letre, e cila përmbante të dhëna kërcënuese për magjistraten dhe familjen, ku përmendeshin edhe fëmijët e saj.
Menjëherë pas denoncimit, ajo është marrë në mbrojtje paraprake nga policia, përfshirë familjarët dhe banesën.
Kështu, pas miratimit të kërkesës për mbrojtje të posaçme, gjyqtares do t’i ofrohet siguri nga Garda e Republikës deri në një vendimmarrje të dytë nga Komisioni.
Deri tani, Policia e Tiranës ende nuk ka asnjë person të dyshuar për kërcënimin ndaj gjyqtares së Tiranës.
Nga ana tjetër, në letrën e dërguar pranë KLGJ, Këlliçi pretendon se ky ishte kërcënimi i dytë që i është bërë, pasi më herët ishte njoftuar edhe nga kancelari i Gjykatës së Tiranës për një kërcënim në emrin e saj.
Për këtë rast, sipas saj, kancelari ka bërë edhe një kallëzim penal. Gjithashtu ai ka referuar në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë edhe një prokuror për hetim disiplinor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




