Dosje

Trafik droge dhe ngjarje kriminale, agjentët italianë marrin në pyetje Nuredin Dumanin

Gazeta Si – Dëshmitari i drejtësisë Nuredin Dumani, i cili ka rrëfyer disa ngjarje kriminale të ndodhura në Shqipëri, është marrë në pyetje edhe nga agjentë të policisë italiane.

Burime pranë SPAK-ut bënë me dije se të enjten në Prokurorinë e Posaçme kanë mbërritur agjentë të autoriteteve italiane, të cilët e kanë pyetur në praninë e një përkthyesi.

Sipas burimeve, hetuesit italianë kanë kërkuar informacion nga i penduari në lidhje me disa episode të trafikut të lëndëve narkotike në Itali, ku janë përfshirë grupe kriminale shqiptare.

Burime në rrugë jo zyrtare, shprehen se interes për të pyetur  vrasësin me pagesë për ngjarje të caktuara, ku janë përfshirë grupe kriminale shqiptare, kanë shfaqur edhe agjenci të tjera ligjzbatuese të vendeve europiane.

Që prej momentit të arrestimit, ai është marrë në pyetje disa herë nga hetuesit e SPAK, ku ka treguar rrethana dhe fakte për ngjarje që po verifikohen.

Nuredin Dumani u arrestua në 29 mars 2022 në një apartament në Fier, 2 vite nga momenti që ishte futur në listën e shumë të kërkuarve të Policisë. Ai po merrte mjekim pasi u plagos në fshatin Paper të Elbasanit.

Hetuesit besojnë se në 29 mars, 39-vjeçari ishte nisur të kryente një atentat në Elbasan, por mbeti i plagosur pasi ra në pritë, dyshohet nga Talo Çela. Miqësia me këtë të fundit, mendohet se u prish për paratë e grabitura në Rinas në 9 prill të 2019.

Nuredin Dumani është në gjykim për vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, si dhe për ekzekutimin e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në Durrës.

Ai është i dyshuar edhe për përfshirjen në vrasjen e trefishtë në Bradashesh ku u ekzekutua Endrit Alibeaj dhe 2 të afërm të tij, si dhe për vrasjen e vëllait të Talo Çelës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë