Shqipëria do të vijojë nën ndikimin e kthjellimeve të shkurtra dhe vranësirave të shpeshta, të cilat herë pas here do të zhvillohen duke gjeneruar rrebeshe shiu, ku më të fokusuara do të jenë në zonat veriore dhe pjesërisht në qendër të territorit.
Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes dhe nata të intensifikojnë shirat si fillim në veri të Shqipërisë dhe gradualisht do të përfshijnë të gjithë territorin e vendit. Në majat e maleve priten reshje dëbore.
Temperaturat e ajrit do të mbeten konstante në mëngjes por mesdita sjell rënie të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 4°C deri në 18°C. Era do të fryjë mesatare dhe e fortë me shpejtësi mbi 60 km/h nga drejtimi kryesisht veriperëndimor, për pasojë në brigjet detare do të krijohet dallgëzim deri në 4 ballë.
Moti i paqëndrueshëm do të na shoqërojë edhe gjatë fundjavës.
Në orët e para të mëngjesit të së shtunës, i gjithë territori pritet të jetë në mbizotërimin e rrebesheve të shiut, të cilat do të jenë më të fokusuara në qarqet e Shkodrës, Lezhës dhe kryeqytetit.
Sa i përket pasdites, kemi përmirësim gradual të kushteve të motit, që do të thotë se në zonat veriore do të kemi ndërprerje të reshjeve. Orët e mbrëmjes sjellin përmirësim të motit edhe në zonat qendrore. Jugu mbetet nën mbizotërimin e vranësirave, reshjeve dhe dëborës në orët e mbrëmjes dhe mëngjesin e së dielës.
Fundjava sjell rënie të menjëhershme dhe të ndjeshme të temperatruave të ajrit duke bërë që minimumet të dielën të zbresin -4 gradë në zonat malore ndërsa maksimumet do të jenë rreth 10 apo 11 gradë. E shtuna do të sjellë fuqizim të erës, me shpejtësi 65 km/ orë kryesisht në drejtimin verilindor duke bërë që temperaturat e ajrit të jenë akoma më të ulëta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.