Gazeta Si – Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Ramazan Rrajën, i akuzuar si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në nëntor 2019.
Rraja iu drejtua Apelit për ndryshim të masës së sigurisë, por gjykata la në fuqi të enjten vendimin e Shkallës së Parë.
Ramazan Rraja akuzohet si personi që ka siguruar kushtet për kryerjen e atentatit në vitin 2019, ku ish- prokurori shpëtoi, por nga plumbat humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku.
Ramazan Rraja u arrestua në muajin prill të vitit të kaluar në një lokal në zonën e Fushë-Krujës, ndërsa ishte me pistoletë në brez dhe fishek në fole gati për qitje.
Gjithashtu, në muajin shkurt 2023, Ramazan Rraja u dënua me 12 vite burg nga drejtësia belge, ku akuzohej si pjesë e një grupi kriminal shqiptaro-letonez, me rrezikshmëri të lartë, që nxirrte fitime të mëdha nga kontrabanda dhe trafikimi i kokainës.
Ramazan Rraja është një emër i njohur i botës së krimit, ku është aluduar si i përfshirë në shumë ngjarje kriminale.
Në 20 janar 2023 për atantatin ndaj Ndojës u arrestuan Genti Ndërjaku alias Akil Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija.
Në 22 shkurt u arrestua në Abu Dhabi Amar Dritan Shkëmbit, në kërkim për atentatin janë edhe Julian Meçaj dhe Plaurent Dervishaj.
SPAK pretendon se Ramazan Rraja, bashkë me kushëririn e tij dhe persona të tjerë kanë organizuar atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoj më 1 nëntor 2019.
Në atentat mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe u plagos Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj.
Sipas prokurorisë, e gjithë përplasja mes dy grupeve ka ardhur si pasojë e konflikteve për pronat në bregdet.
Ramazan Rraja është pyetur nga policia në muajin tetor të vitit të kaluar, edhe për vrasjen e trefishtë të mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mes të vrarëve ishte kushëriri i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.