Shendet

Miratohet në Angli pilula për mbinxehjen e trupit dhe djersitjen gjatë menopauzës

Një lloj i ri medikamenti është miratuar në Britaninë e Madhe kundër temperaturës dhe djersitjeve gjatë natës për gratë në menopauzë. Pilula e quajtur “Veoza” ose fezolinetant bën të mundur kontrollin e temperaturës dhe të nxehtit që gratë ndjejnë në këtë fazë.

Deri në 80% e grave i përjetojnë këto simptoma në menopauzë, megjithëse jo të gjitha duan të marrin medikamente. Ky ilaç kërkon dhe një rishikim nga “Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Kujdesin” në MB dhe vitin e ardhshëm do dalë në treg.

Rregullimi i temperaturës

Menopauza është një ndryshim normal, natyror që ndodh zakonisht midis moshës 45 dhe 55 vjeç. Ndërsa gratë i afrohen menopauzës, nivelet e hormonit estrogjen luhaten dhe bien, gjë që mund të shkaktojë simptoma problematike.

Këto nivele ndikojnë në tru, duke shkaktuar mbinxehje të trupit. Prandaj ekspertët kanë krijuar “Veozën” e cila ndihmon për të bllokuar një proteinë në tru të quajtur “neurokinin B” që ndikon direkt në rregullimin e temperaturës. Kjo pilulë do shërbejë po ashtu për ndryshimet në humor.

Julian Beach, nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA) është shprehur: Djersitjet gjatë natës dhe vapa që ndjejnë gratë është e zakonshme, por ka një ndikim të madh në gjendjen emocionale gjatë ditës. Nëse miratohet një ilaç, do përmbushë të gjitha pritshmëritë tona të sigurisë, cilësisë e efektivitetit”.

Menopauza i prek gratë në mënyra të ndryshme, megjithatë tek të gjitha ka një ulje të niveleve të estrogjenit. Kjo e fundit ndikon te truri, periodat, lëkura, muskujt dhe emocionet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë