Gazeta Si - Krahas 5 dëshmitarëve të tjerë, GJKKO ka thirrur në 14 dhjetor (ora 09:00) Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrin Aldo Bumçi të dëshmojnë në procesin për dosjen “Gërdeci”.
Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake në lidhje me faksin me shënimin “për Shkëlzenin”, ndërkohë që SPAK, dyshon se djali i ish-kryeministrit ka pasur takime dhe telefonata me ministrat para dhe menjëherë pas shpërthimit në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec në 15 mars 2008.
Ministria e Drejtësisë, me ministër asokohe, Aldo Bumçin ka qenë një nga organet kompetente për të gjithë praktikën e ndërtimit të fabrikës së armëve.
Në një shkresë, e cila tanimë është bërë publike nga kjo ministri ka pasur edhe një shënim për Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministri Sali Berisha.
Dëshmia mbështetet nga ish- sekretarja e Aldo Bumçit dhënë para prokurorëve, e cila pranon se Shkëlzeni ka shkuar në zyrë e më pas Aldo ka përcjellë porosinë për tek zyra privat e e Shkëlzenit në Ministrinë e Mbrojtjes.
Seanca e ditës së sotme u shty për shkak të mungesës në proces të ish-ministrit Mediu, ku mesohet se shkak për mungesën e tij në gjyq, ishte seanca plenare në Kuvend, ku u miratuar buxheti 2024.
Mësohet se Fatmir Mediu iu drejtua përmes një shkresë Gjykatës së Posaçme, ku e informonte mbi seancën e sotme plenare e ku duhej të ishte i pranishëm.
Seanca e radhës u caktua nga trupi gjykues më 14 dhjetor ora 09:00, krahas Shkëlzen Berishës e Aldo Bumçit, gjykata ka kërkuar edhe 5 dëshmitarë të tjerë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi më 8 shkurt 2023 dërgimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Fatmir Mediut, i pandehur për veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigadës së Tankeve’, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.