Ngjarje

Pse në pallatet e vjetra zjarri përhapet më ngadalë

Nga Gazeta ‘Si’- Nga banesa e katit të pestë që u dogj në rrugën “Ferit Xhajko” nuk ka mbetur thuajse asgjë. Zjarri që e përfshiu në orët e pas mesnatës për fat të keq asfiksoi 57 vjeçarin Ramazan Duka, që i vetëm në banesën me qira, nuk arriti të shpëtonte dot.

Por ndonëse në katin e fundit gjenden edhe dy shtëpi të tjera, njëra në krah dhe tjetra përballë, zjarri nuk është përhapur në kat. Këtë “fat të mirë” banorët ia atribuojnë strukturës dhe materialit të ndërtimit të pallatit.

Banesa e djegur në rrugën “Ferit Xhajko”

“Ky është pallat i vjetër dhe po të vësh re që nga jashtë, duket që është i gjithi i ndërtuar me tulla. Ky lloj ndërtimi ka ndihmuar që flakët të mos përçohen në banesat e tjera.

Nëse do ishte i ndërtuar me polesterol, siç po ndërtohen shumica e pallateve tani në Tiranë, jo vetëm kati i fundit por rrezikohej që flaka të zbriste edhe në katet më poshtë dhe më pas në gjithë fasadën”,thotë njëri nga banorët për Gazetasi.al.

Në një mendje me ta është dhe Gëzim Beqaj nga Shoqata e Inxhinierëve.

Ai thekson për Gazetasi.al se konstatimi i banorëve është i saktë dhe se është pikërisht jo vetëm tulla si material që vetëshuhet dhe ndalon përhapjen e zjarrit por edhe struktura e organizimit të pallatit.

Në pallatet e rinj, sipas tij, një ndër arsyet pse shuarja e zjarrit është e vështirë është vendosja e materialit termik midis murit dhe pllakës, ku uji nuk mund të depërtojë. Sigurisht, përpos mungesës së sistemit të zjarrit në ndërtesë.

Fakti që ky pallat është ndërtuar më herët dhe veshja nuk ka qenë me polesterol, lesh guri apo korpanel që prodhohet nga lëkura e pemëve, i ka ardhur në ndihmë banorëve të tjerë.

Beqaj shprehet se konstatimi i banorëve është i saktë

Fqinjët tregojnë për Gazetasi.al se nuk e kishin kuptuar që kishte rënë zjarr derisa në orët e para të mëngjesit kanë dëgjuar sirenat e zjarrëfikëses dhe policisë. Pallati nuk ka sistem anti-zjarr dhe nuk e dinë nëse hyrja e djegur ishte e siguruar nga zjarri.

“Nuk kemi ndjerë as aromën e zjarrit dhe as zhurmë të ndonjë bombule gazi që mund të na alarmonte. Zjarri sipas policisë dyshohet që ka nisur rreth orës tre të mëngjesit.

Ne u zgjuam pak kohë më vonë pasi dëgjuam zjarrfikësen. Ndonëse punuan shumë për të shuar flakët, nuk arritën që dhomat e tjera të banesës të shpëtonin pa u djegur”, rrëfejnë ata.

Dukuri të ngjashme më herët kanë dëshmuar që polesteroli është një material që jo vetëm nuk kufizon zjarrin por edhe ndihmon në përhapjen e tij. Një rast i tillë ishte dhe djegia masive e një pallati të ri në shtator, që nxiti debate për standardin e ndërtimit dhe nëse ishin zbatuar si duhet rregullat.

Kujtojmë që pesë katet e fundit të pallatit në zonën e ish-parkut të Autobusëve u dogjën tërësisht për shkak të veshjes me polesterol ndërsa fasada ngjitur e pallatit, e veshur me pllakë, nuk u prek nga zjarri.

Pallati i djegur në shtator 2023

…Por pavarësisht se me fqinjët fati qe bujar dhe zjarri nuk u përhap në kat, Ramazanin nuk mundën dot ta shpëtonin.

Atë nuk e njihnin mirë sepse kishte pak kohë që jetonte në atë pallat, megjithatë shprehen se për aq sa ishin ndeshur shkallëve, ishte njeri i respektuar.

“Në Tiranë edhe sikur të jetosh për shumë vite më të njëjtët fqinjë nuk të bie shpesh të ndeshesh. Nuk kishte shumë kohë që jetonte këtu por dukej njeri i urtë dhe i respektuar. Si me thënë, në hall e në punë të vetë”, vijon më tej fqinji për Gazetasi.al ndërsa tregon se Ramazani, me origjinë nga Dibra, jetonte i vetëm dhe ishte i papunë.

Fqinjë të tjerë tregojnë se ai ishte baba i tre fëmijëve, dy vajzave të martuar dhe një djali. Ndërsa bashkëshortja, kishte ndërruar jetë më parë.

Alibia që qarkullon mes bisedave të tyre për shkakun e zjarrit është ndonjë pajisje elektrike që mund të jetë harruar natën në prizë.

“Nuk e dimë saktësisht se çfarë mund ta ketë shkaktuar por mendojmë që mund të ketë harruar ndonjë pajisje ndezur. Këtë version dha edhe policia por nuk kanë përfunduar ende hetimet ndaj po presim të marrim vesh ndonjë gjë më shumë më tej.

Pajisja mund të jetë djegur dhe më pas ka marrë flakë çdo gjë përreth. Ishte një proces shumë i shpejtë në një hark të shkurtër kohor dhe e gjithë shtëpia është bërë shkrumb e hi. Nuk hamendësoj dot se çfarë pajisjeje. Mbase ka qenë dhe ndonjë batanije me ngrohëse”, tregon një shitëse e cila nuk jeton aty, por ka një dyqan jashtë pallatit.

Nëse ngjit katin e fundit për të shkuar drejt banesës së djegur, verën se tavani, dikur në një ngjyrë rozë të dalë boje, është i gjithi në ngjyrë të zezë për shkak të flakëve dhe tymit. Njësoj edhe një pjesë e mureve anësore.

Për momentin nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me shtëpinë e shkrumbuar pasi ajo është në zotërim të dikujt tjetër. Por sipas tyre, me shumë gjasa do restaurohet e gjitha nga fillimi.

Ndonëse policia e ka ndaluar hyrjen në banesë, kur e sheh nga jashtë, nuk do shumë mend të kuptosh që të tre dhomat brenda janë bërë shkrumb e hi.

Banesa e djegur, e fotografuar nga jashtë

Gjithë çfarë ka mbetur janë dritaret me xhamat e thyer dhe një palë rroba, ende të ndera jashtë…dhe fqinjët që i gëzohen faktit se shpëtuan për shkak se jetojnë në një pallat të vjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë