Sociale

Reshjet e dëborës/ Disa fshatra në Dibër, Kukës dhe Korçë pa energji elektrike! Qarkullimi i automjeteve bëhet me zinxhirë (foto, video)

Nga Gazeta Si - Gjatë orëve të natës dhe në mëngjes, intensiteti i reshjeve ka rënë në të gjithë territorin ndërkohë që temperaturat kanë qenë në ulje deri në -6 në zonat malore.

Në një njoftim zyrtar, Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset nacionale, por drejtuesit e mjeteve duhet të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Reshjet e dëborës që përfshinë vendin ditën e djeshme, kanë shkaktuar probleme të shumta në qytete të ndryshme të vendit, kryesisht në veri, në qarkun e Dibrës, Kukësit, Shkodrës dhe Lezhës.

Pjesa më e madhe e qarkut të Dibrës vijon të jetë pa energji elektrike që prej pasdites së djeshme si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës që mësohet se kanë shkaktuar dëmtimin e disa shtyllave të rrjetit elektrik.

Ndërkohë sot, në Parkun Kombëtar të Qafështamës në Fushë-Krujë dëbora ka arritur deri në 30 cm duke shkaktuar vështirësi në kalimin e rrugës Krujë-Qafështamë.

Në Kukës, rrugët rurale janë të kalueshme me zinxhirë, përveç rrugëve të Njësisë Administrative Arrën, Zapod, Grykë-Çajë dhe Kalis të cilat janë të bllokuara. Në Bashkinë Tropojë, furnizimi me energji eletrike aktualisht është ndërprerë në Njësitë Administrative Bytyq dhe Llugaj. Në bashkinë e Hasit, ky problem është në Njësitë Administrative Golaj dhe Gjinaj.

Ndërsa në Korçë situata është normalizuar në pjesën më të madhe të akseve rrugore pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës. Problem ka në furnizimin me energjinë elektrike të disa fshatrave në bashkitë e Pogradecit dhe Maliqit. Ndërsa në Voskopojë e Dardhë, janë shtuar rezervimet e turistëve për të kaluar fundjavën.

Mbrëmjen e djeshme, reshjet e dëborës shkaktuan bllokimin e rreth 300 automjeteve në bypassin e Qafë Murrizit në Rrugën e Arbrit dhe 100 automjeteve të tjera në aksin Maqellarë-Peshkopi. Pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës, është bërë zhbllokimi dhe kriposja e rrugëve. Pjesa më e madhe e automjeteve që ishin nisur nga Tirana për në Dibër u kthyen mbrapsht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë