Gazeta Si - Moti i keq ka shkaktuar disa dëme në Malësinë e Madhe që prej mbrëmjes së të martës dhe mëngjesit të kësaj të mërkure.
Reshjet e dendura të shiut dhe dalja nga shtrati i përrenjve kanë shkaktuar dëme materiale në disa banesa dhe biznese në zonë dhe bllokim të kolektorëve.
Ndërkohë që qendra e qytetit të Koplikut dhe zonës së Bajzës kanë qenë të pushtuara nga uji për disa orë.
Probleme ka patur edhe me qarkullimin prej orëve të para të mëngjesit, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në shumë fshatra.
“Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, dhe daljes nga shtrati i perrenjve, janë shkaktuar dëme materiale në disa banesa dhe biznese. Shërbimet e Policisë së Shtetit, të Policisë Bashkiake dhe Emergjencat Civile janë në terren, për të ndihmuar drejtuesit e automjeteve dhe banorët që janë në vështirësi. Qytetarët që kanë nevojë për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”, - thuhet në njoftimin e Policisë së Qrkut Shkodër.
Situata e krijuar nga reshjet intensive dhe fryrja e Përroit të Thatë ka sjellë edhe angazhimin e strukturave të emergjencës në Malësinë e Madhe përfshirë forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse.
Dëmet më të mëdha janë shkaktuar në fshatrat Gradec dhe në lagjen "Culaj" në qytetin e Koplikut. Ndërkohë, që si pasojë e vërshimit të ujit nga Përroi i Thatë ka pasur dëmtime edhe në infrastrukturën rrugore, ku disa rrugë të fshatrave janë dëmtuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.