Irena Beqiraj
Duke u përpjekur për njerëzimin mezi rregulluan diçka për vete!
UN raporton se 73% e refugjatëve në 2022 janë strehuar në vendet në zhvillim (vende me të ardhura të mesme edhe të ulta) edhe vetëm 27% e tyre në vendet e zhvilluara.
Ndërsa po të lexoni më tej studimet e institutit V.DEM do të vëreni se pjesa me e madhe e tyre janë përqendruar në vendet me regjime hibride ose të quajtura ndryshe autokraci zgjedhore.
Vala e refugjatëve në këto është rezultat i një ndërveprimi midis preferencave të refugjatëve dhe udhëheqësve te vendet pritëse.
Refugjatët do të preferonin të strehoheshin në një vend që u siguron mbrojtje ekonomike, ligjore dhe politike. Ata natyrisht preferojnë të vendosen në vende demokratike me të ardhura të larta.
Ndërsa qeveritë demokratike, për të përmbushur edhe pritjet e elektoratit të tyre nuk dëshirojnë të përballen me flukse të larta të refugjatëve edhe azilkërkuesve, ndërkohë që i nënshtrohen "klauzolës së moskthimit" e cila i pengon ato që të dëbojnë me forcë refugjatët.
Të gjithë azilkërkuesit të cilët nuk ia dalin të marrin statusin e emigrantit në një vend demokratik duhet të largohen nga vendi pritës në mënyrë autonome, duke u rivendosur në një vend tjetër ose duke u kthyer në vendin e tyre.
Duke qenë se kjo nuk ndodh, vendet demokratike, për të "respektuar" në dukje angazhim ndërkombëtar të moskthimit me forcë, i lënë refugjatët për një kohë të gjatë me një status të papërcaktuar.
Statusi i paqartë nënkupton që këta persona nuk janë në gjendje të përfitojnë të drejta të ndryshme që do t'ju takonin me status formal të refugjatit, të tilla si të drejtat për aktivitetet ekonomike, lëvizjet ndërkombëtare dhe bashkimi familjar.
Ky dehumanizim i refugjatëve edhe nevoja për të mbijetuar rrit mundësinë që ata të shndërrohen kontigjent i aktiviteteve të paligjshme.
Për të shpëtuar nga kjo situatë,duke mos rënë dakord për një shpërndarje së barrës në menaxhimin e krizave të refugjatëve, vendet e zhvilluara kanë gjetur një debutor.
Në vend të një zgjidhjeje të qëndrueshme të problemit zgjedhin ta transferojnë atë jashtë kufijve të tyre duke përdorur liderët autokratikë të cilët "shfaqen më të ndjeshëm edhe katolikë se Papa edhe me europian se vetë europianët "
Liderat e gjithëpushtetshëm autokratikë nuk japin llogari edhe nuk kanë nevojë të bëjnë transparencë. Ato i nënshkruajnë marrëveshjet e pritjes së refugjatëve pa pasur nevojë t’i diskutojnë me publikun e tyre.
Publikut kjo zgjidhje i serviret si e përkohshme, ndonjëherë edhe e shoqëruar me përfitime të ndihmës ekonomike (si ajo e dhënë nga Gjermania Turqisë në vitin 2016), ku nuk ka asnjë arsye përse të mos tregohemi human edhe bujarë me njerëzit në nevojë.
Por në fakt në të gjitha rastet kur ka ndodhur ka qenë një shkëmbim politik favoresh.
Me anë të refugjatëve pa status të mbajtur në territoret autokratike liderat perëndimorë kanë siguruar maskën hipokrite të respektimit të konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ndërsa liderat autokratikë sigurojnë heshtjen, mosndërhyrjen madje edhe mbështetjen e perëndimit, ndaj sundimit të tyre.
E pra, Meloni me zbulimin e një lideri "më Europian se Macroni” i duket se "shpëton fytyrën" para publikut italian edhe atij ndërkombëtar.
Ndërsa Lideri global duke treguar respekt ndaj vlerave europiane apo kujtimit të gjyshes së tij italiane edhe duke na kujtuar detyrimet që kemi ndaj Italisë mike, siguron mbështetjen europiane për sundimin e tij.
Cinizmi tragjik me krizat e refugjatëve, ka vetëm një shpjegim: "Duke u përpjekur për njerëzimin, liderat demokratë e autokratë mezi rregulluan diçka për vete.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.