Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete ka prezantuar në komisionin e Ekonomisë, rishikimet e buxhetit 2023.
Mete ka treguar ndryshimet në buxhet, nisur nga reflektimi i rritjes së të ardhurave me 7.5 mld lekë dhe rishpërndarjen e rreth 46 mld lekëve për shpenzime kapitale dhe korrente.
“Shtesat në shpenzimet buxhetore shkojnë në sektorë si rindërtimi, ujësjellësit, rrugët, bujqësia, policia e shtetit, etj. Në terma konkretë, rritjet më domethënëse janë aplikuar për fondin e rindërtimit me 12 mld lekë, projektet me financim të brendshëm rreth 14 mld lekë. Kjo vlerë ndahet për rrugët, 8.6 mld lekë, ujësjellës 4.9 mld lekë, AKSHI 2.35 mld lekë dhe FSHZH 1.5 mld lekë” tha ministri i Financave.
Ai theksoi se fondet buxhetore për shpenzime kapitale po orientohen drejt atyre sektorëve, të cilët performojnë më mirë, natyrisht duke vlerësuar të gjithë sektorët.
Ministri Mete tregoi se Fondi Rezervë dhe Kontigjenca është rritur 1.7 miliardë lekë, përkatësisht 300 milionë lekë fondi rezervë me qëllim garantimin e financimit të shpenzimeve të paparashikuara deri në fund të vitit 2023 dhe 1.4 miliardë lekë kontigjenca me qëllim adresimin eventual të të gjitha kërkesave të mbetura të institucioneve për mbulimin e efektit të aplikimit të pagave të reja për vitin 2023.
Po ashtu, fondeve për pushtetin vendor u shtohen 250 milionë lekë për pjesën e taksave të ndara që i transferohen buxhetit vendor, për shkak të realizimit të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale dhe taksës së rentës minerare në rang vendi. Gjithashtu, akordohet një shtesë prej 220 milionë lekë, në formën e transfertës së pakushtëzuar për mbulimin e shpenzimeve të veprimtarive dhe të funksioneve të njësive të vetëqeverisjes vendore me vështirësi financiare.
“Akti lë të pandryshuar nivelin e deficitit buxhetor, siç ishte parashikuar në buxhetin fillestar 2023. Ndërkohë që, borxhi publik reflekton uljen e financimit nga projektet e huaja dhe rritjen e financimit të instrumenteve të tjera financiare si Eurobond dhe mbështetje buxhetore me terma të buta”.
“Shpenzimet publike gjatë 2023 janë karakterizuar nga kursime të larta, si pasojë e situatës së përmirësuar energjitike, shpenzimeve më të ulëta për interesa, dhe ecurisë në disa projekte investimesh publike, sidomos me financim të huaj, të cilat për shkak të vonesave kryesisht procedurale nuk kanë arritur disbursimet e planifikuara. Ndërkohë, zbatimi i projekteve të brendshme, në veçanti procesi i Rindërtimit synohet të përshpejtohet më tej përmes rialokimit të fondeve shtesë të propozuara në këtë akt normativ” tha ministri Mete përballë komisionit të Ekonomisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.