Ngjarje

Akuzohet për 6 vrasje, Gjykata e Apelit në Greqi vendos ekstradimin e Laert Haxhiut

Gazeta Si - Laert Haxhiu, i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, do të ekstradohet nga Greqia në vendin tonë.

Gjykata Apelit në shtetin fqinj vendosi këtë të mërkurë ekstradimin e 31-vjeçarit nga Lushnja, duke rrëzuar një vendim të dhënë dy muaj më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë.

Haxhiu dhe grupi i tij akuzohet për 6 vrasje dhe disa tentative vrasje të kryera në Greqi dhe në Shqipëri. Haxhiu kërkohët në Shqipëri, si autor i plagosjes së shtetasit Xhulio Shkurti në vitin 2016, i dënuar me vendim të formës së prerë me 18 vite burg.

Gjithashtu ai është marrë i pandehur nga Gjykata e Posaçme për atë që njihet si masakra e Lushnjës, ku mbetën të vrarë dy persona, Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe u plagosën dy të tjerë në vitin 2017.

31-vjeçari është i pandehur me masë sigurimi arrest në burg në mungesë me vendim të Gjykatës së Fierit për vrasjen e shtetasit Besnik Hida në vitin 2019.

Ndërkohë, në fazën e hetimit paraprak dhe me një tjetër masë sigurimi të lëshuar në mungesë nga Gjykata e Elbasanit, Laert Haxhiu akuzohet se në bashkëpunim me disa persona të tjerë është autor edhe i 4 vrasjeve të tjera në Shqipëri, si dhe 14 ngjarjeve të tjera të ndodhura me shpërthim tritoli, apo grabitje.

Pritet që në ditët në vijim avokatët mbrojtës të Laert Haxhiut të vendosin për ta çuar çështjen në Gjykatën e Lartë Greke me shpresën e rrëzimit të ekstradimit të Haxhiut në Shqipëri, ku e presin disa procese gjyqësore.

Sipas avokatit të shqiptarit, në rast se Apeli urdhëron ekstradimin e Laert Haxhiut në Shqipëri, firmën e fundit e ka ministri i Drejtësisë Greke për transferimin e këtij personi në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë