Një biznesmen boshnjak ia ka vënë vetes detyrë që një hapësirë livadhesh natyrore ta kthejë në një kopje të një prej pikturave më të famshme të Vincent van Goghut “Nata me yje”.
Parku natyror është frymëzuar nga piktura e Vincent van Goghut “Nata me yje” dhe po ngrihet pranë Visokos, Bosnjë e Hercegovinë.
“Isha ulur këtu, duke parë kodrën pas meje dhe një traktor kaloi nëpër livadhin që ishte këtu në atë moment, duke lënë pas gjurmë në formë spiraleje. Diçka sapo më shkrepi në kokë dhe nuk kisha më asnjë dyshim se çfarë do të bëja në lidhje me hortikulturën dhe arkitekturën e peizazhit (në park)”, shprehet Halim Zulic, bizmesmen dhe realizuesi i parkut.



Zulic bleu 700.000 metra katrorë livadhe dhe kodra jo shumë larg nga vendlindja e tij Visoko, afër Sarajevës, me idenë për ta kthyer atë në një park natyror ku ai dhe të tjerët si ai, mund të shkojnë për pak paqe dhe vetmi. Ai, gjithashtu, vendosi të përdorë një pjesë nga kjo tokë për rikrijimin e pikturës ikonike të Van Goghut.



Fushat e mbjella me livandë, shkurre dhe liqene ndërthuren për të formuar një rrjet shtigjesh që ngjasojnë me tablonë e famshme, të cilën artisti i trazuar postimpresionist holandez pikturoi më 1889 ndërkohë që ishte në një azil në Francë.

“Zhvillimi i këtij projekti më mësoi se çfarë do të thotë të kesh fokus në jetë, gjë që më ndihmoi të kuptoj veprat e shumë artistëve, përfshirë Van Goghun. Gjithashtu, më mësoi se cili është çmimi i të qenit i fokusuar në diçka për shumë e shumë vite”, thotë Zulic.
Projekti unik, i cili filloi pesë vjet më parë, është pothuajse i përfunduar dhe mbulon rreth 100.000 metra katrorë tokë. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




