Ekonomi

Moody’s vlerëson sërish me B1 ekonominë shqiptare: Borxhi publik në rënie vitin e ardhshëm

Nga Gazeta ‘Si’ – Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s ka rikonfirmuar vlerësimin aktual të Shqipërisë, “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”, në rishikimin e saj të fundit.

Moody’s ka vlerësuar se stabiliteti makroekonomik u ruajt gjatë tre goditjeve të mëdha që pësoi ekonomia shqiptare në vitet e fundit, tërmeti, pandemia dhe kriza europiane energjetike që filloi në vitin 2022 shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Agjencia vlerëson se ekonomia e Shqipërisë tregoi rezistencë ndaj goditjeve me të cilat u përball, duke u rikuperuar në 8.9% në vitin 2021 dhe 4.9% në 2022-shin, pas një tkurrjeje ekonomike prej 3.3% në vitin 2020, ku sektori i turizmit u ndikua nga pandemia.

“Treguesit fiskalë kanë qenë në një trend pozitiv, pas përkeqësimit të ndjeshëm në vitin 2013. Megjithatë, tre goditjet e mëdha me të cilat u përball ekonomia shqiptare vitet e fundit kanë rënduar mbi financat publike.

Ndërsa borxhi publik total ndaj PBB-së (përfshirë garancitë) u rrit me pothuajse 9 pikë përqindjeje gjatë viteve 2019-21, duke kulmuar në 74.5% në vitin 2021, në vitin 2022, raporti i borxhit publik rihyri në një trend të fortë zbritës dhe u zvogëlua me pothuajse 10 pikë përqindjeje, duke u ulur nën nivelin parapandemik të vitit 2019”, thekson Moody’s.

Si rezultat i zgjerimit të PBB-së dhe ngushtimit të bilancit fiskal, agjencia parashikon rënie të raportit të borxhit publik në 62.3% të PBB-së në vitin 2024 (12.2 pikë përqindjeje nën kulmin e vitit 2021 prej 74.5%) dhe 3.5 pikë përqindje nën nivelin parapandemik të vitit 2019.

Disa javë më parë një tjetër agjenci ndërkombëtare, Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) rishikoi me rritje perspektivën e saj për Shqipërinë nga “perspektivë e qëndrueshme”, tashmë në “perspektivë pozitive”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë