Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave, Ervin Mete gjatë diskutimeve të vazhdueshme në Ministerialin e Procesit të Berlinit, tregoi se Shqipëria ka propozuar disa iniciativa për vendet e Ballkanit Perëndimor, që nga infrastruktura e deri tek digjitalizimi.
Fillimisht, Mete tregoi për ‘Programin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit 2.0’, që është vazhdimësi e projektit të parë të zbatuar nga Banka Botërore në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke e zgjeruar tashmë atë me 7 vendet anëtare të BE-së të kalimit kufitar.
Programi 2.0 do të ofronte një mundësi në tre akse kryesore, marrëveshjet tregtare dhe doganore, ulje të kostove duke përmirësuar ose zgjeruar infrastrukturën në pikat kufitare në korridoret kritike të transportit, duke përfshirë zgjidhjet digjitale dhe identifikim të investimeve të që duhen në infrastrukturë.
“Së dyti, ne po punojmë për integrimin e sistemeve të pagesave të bankave qendrore të rajonit drejt atij europian. Kjo nismë fillimisht u propozua si pjesë e Tregut të Përbashkët Rajonal, por koncepti që ne propozojmë tani ka një shtrirje dhe ambicie më të gjerë, përkatësisht lidhjen e shërbimeve tona financiare me ato të BE-së” tregoi ministri Mete.
Në fund ai shtoi se Shqipëria ka propozuar që të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Aleancës Europiane të Lëndëve të Para, një iniciativë e cila mbështetet nga arsye gjeopolitike dhe ekonomike.
“I bëj thirrje kolegëve të mi që të ndihmojnë në zhbllokimin e këtij sistemi, në mënyrë që të mund të vjelim disa rezultate lehtësisht të arritshme, por me shumë ndikim sa i përket bashkëpunimit ekonomik. Mbi të gjitha, kjo do ta transformonte rajonin tonë në një partner gjithnjë e më të besueshëm për BE-në”, përfundoi Mete fjalën e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



