Njerëzit që jetojnë me Covid për një kohë të gjatë pasi janë shtruar në spital kanë më shumë gjasa të shfaqin disa dëmtime në organet kryesore, sipas një studimi të ri.
Rezonanca magnetike MRI ka zbuluar se pacientët që kanë kaluar Covid të gjatë kishin tre herë më shumë gjasa të kishin disa anomali në organe të shumta si mushkëritë, trurin dhe veshkat.
Studiuesit besojnë se ka një lidhje me ashpërsinë e sëmundjes dhe shpresojnë se studimi do të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve më efektive për Covidin e gjatë.
Studimi, i botuar në Lancet Respiratory Medicine, shqyrtoi 259 pacientë të cilët u sëmurën aq shumë nga virusi sa u shtruan në spital.
Pesë muaj pasi dolën nga spitali, rezonanca që iu bë tregoi disa dallime të dukshme në krahasim me një grup prej 52 personash që nuk kishin pasur kurrë Covid.
Ndikimi më i madh u pa në mushkëri, ku rezonancat kishin 14 herë më shumë gjasa të tregonin anomali, tre herë më shumë gjasa të tregonin disa anomali në tru dhe dy herë më shumë në veshka në mesin e njerëzve që kishin pasur Covid të rëndë.
Ndërkohë që nuk kishte ndonjë ndryshim domethënës në shëndetin e zemrës apo mëlçisë.
Dr. Betty Raman, nga Universiteti i Oksfordit thotë se është e qartë se ata që jetojnë me simptoma të Covid për një kohë të gjatë kanë më shumë gjasa të kenë përjetuar disa dëmtime të organeve.
“Mosha e pacientit, sa rëndë ishin të sëmurë me Covid, si dhe nëse kishin sëmundje të tjera në të njëjtën kohë, ishin të gjithë faktorë të rëndësishëm në gjetjen apo jo të dëmtimit të këtyre organeve të rëndësishme në trup”, thotë ajo.
Gjetjet janë pjesë e një studimi më të madh që shikon efektet afatgjata të Covid tek ata që u shtruan në spital, i njohur si studimi Phosp-Covid.
Studiuesit gjetën disa simptoma të shoqëruara me shenja të dëmtimit të organeve të zbuluara nga rezonanca, për shembull, dhimbje në gjoks dhe kollë. Sidoqoftë, jo të gjitha simptomat e përjetuara nga ata që jetojnë me Covid të gjatë mund të lidhen drejtpërdrejt me atë që u pa në skanime.
Raman thotë se duket gjithashtu se anomalitë në më shumë se një organ ishin më të zakonshme në mesin e njerëzve që ishin shtruar në spital dhe ende raportonin probleme të shëndetit fizik dhe mendor pasi ishin shëruar nga infektimi fillestar.
“Ajo që ne po shohim është se njerëzit që kishin më shumë se dy organe të prekura, kishin katër herë më shumë gjasa të raportonin dëmtime të rënda mendore dhe fizike,” tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




