Ekonomi

Mete takon Sejkon: Të përshpejtohen investimet publike

Nga Gazeta ‘Si’ – Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete ka theksuar rëndësinë e përshpejtimit të investimeve publike me qëllim stimulimin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Në një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, të dy vlerësuan se pavarësisht situatës jo të favorshme globale, parashikimet e fundit vazhdojnë të mbeten pozitive për rritjen ekonomike të Shqipërisë në periudhën afatmesme.

Sejko u shpreh se nga këndvështrimi makroekonomik zhvillimet ekonomike kanë qenë pozitive.

“Ekonomia është zgjeruar me ritme të mira, inflacioni ka shënuar rënie progresive,  aktiviteti  ekonomik,  punësimi e pagat kanë vijuar të rriten, ndërsa ekuilibrat e përgjithshëm ekonomikë dhe financiarë të vendit kanë ardhur në përmirësim. Gjithashtu, të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë një rritje të konsiderueshme në investimet e huaja direkte, një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga turizmi, rritje të eksporteve në total, si dhe një rritje të remitancave në krahasim me vitin e kaluar”, deklaroi ai.

Mete dhe Sejko diskutuan edhe pritshmëritë në lidhje me inflacionin dhe efektet e tij.

Sejko deklaroi se parashikimet e Bankës sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë viteve në vijim, ndërsa inflacioni do të kthehet në objektivin e politikës së saj monetare  prej 3% gjatë vitit të ardhshëm.

Çështje të tjera diskutimi në takim ishin ecuria dhe masat për stabilizimin e kursit të këmbimit, nxitja e kreditimit dhe avancimi me sistemin e pagesave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë