Nga Gazeta Si – Pas alarmit për tregtimin e tullumbaces me oksid azoti në baret dhe pub-et e kryeqytetit nga të rinj e të reja adoleshentë, reagojnë ekspertët e shëndetit publik.
Sipas mjekëve specialistë, oksidi i azotit është një përbërje kimike me formulën N2O, i njohur zakonisht si “gazi për të qeshur”!
Në temperaturën e dhomës, është një gaz i pangjyrë jo i ndezshëm, me një aromë dhe shije të lehtë metalike.
Mjeku i përgjithshëm në një prej qendrave shëndetësore në Tiranë, Gerald Kola, thotë se në temperatura të larta, oksidi i azotit është një oksidues i fuqishëm i ngjashëm me oksigjenin molekular.

Sipas tij, ai ka përdorime të rëndësishme mjekësore, veçanërisht në kirurgji dhe stomatologji që nga viti 1844, për efektet e tij anestezike dhe reduktuese të dhimbjes.
“Emri i tij “gaz i qeshur” është për shkak të efekteve euforike gjatë thithjes së tij, një veti që ka çuar në përdorimin e tij rekreativ si një anestezik disociues. Thithja rekreative e oksidit të azotit, me qëllim të shkaktimit të euforisë dhe/ose halucinacioneve të lehta, filloi si një fenomen për klasën e lartë britanike në vitin 1799, të njohura si “festat e gazit të qeshur””, thotë doktor Kola.
A duhet të ndalohet shitja në farmaci e N2O?
Ekspertët e shëndetit publik thonë se gazi N2O që njihet si gaz teknik tregtohet në farmaci pa kriter.
Sipas tyre, ka ardhur koha që të merren masa për tregtimin e tyre përmes licencës.
“Oksidi i azotit duhet të tregtohet në farmaci të licencuara, njësoj si morfina. Përdorimi me kriter nuk është rrezikshëm”.
Në Mbretërinë e Bashkuar, që nga viti 2014, oksidi i azotit vlerësohej të përdorej nga pothuajse gjysmë milioni të rinj në mbrëmje, festivale dhe diskoteka.
Ligjshmëria e këtij përdorimi ndryshon shumë nga vendi në vend, madje edhe nga qyteti në qytet në disa vende.
“Ky gaz është në listën e barnave thelbësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, barnat më efektive dhe më të sigurta që nevojiten në një sistem shëndetësor”, thonë ekspertët e shëndetit publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



