Nga Gazeta Si – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bashkë me ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik dhe mjekët e Spitalit Infektiv në QSUT, kanë folur për masat parapërgatitore për sezonin vjeshtë-dimër.
“Po ndjekim një plan masash, i cili tashmë është futur në planin e masave kombëtare të përvitshëm sa i përket mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Kemi marrë masat për forcimin e rrjetit të survejancës, shtrirjes së sistemeve dixhitale që i përkasin aspekteve të monitorimit, situatës epidemiologjike dhe vaksinimit”, tha Ministrja Manastirliu.
Manastirliu tha se janë siguruar 270 mijë vaksina ndaj gripit për të gjitha grupet e riskuara.
“Masat janë marrë që të kemi 270 mijë vaksina të gripit, të cilat janë të targetuara për popullatën e riskuar dhe ISHP është duke punuar për të garantuar që menjëherë me fillimin e sezonit të vjeshtës, ne të kemi edhe vaksinat kundër gripit”, tha Manastirliu.
Prof. Silva Bino, Shefe e Shërbimit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP ka apeluar qytetarët për t’u vaksinuar me dozën përforcuese.
“Ne vëmë re që vaksina ka efektivitet, por i rëndësishëm është doza përforcuese, sepse pas një kalimi kohe efektiviteti zbehet dhe natyrisht të gjithë personat mbi 60-vjeç këtë stinë të vaksinohen njëkohësisht ndaj gripit dhe ndaj COVID dhe kjo është mbrojtja më e mirë që përdor gjithë bota”, tha Bino.
Ndërsa Prof. Gjeorgjina Kuli, Shefe e Shërbimit të Pediatrisë Infektive dhe prof. Najada Çomo, shefe e Shërbimit Infektiv theksuan rëndësinë e vaksinimit kundër gripit dhe Covid-19.
Bazuar në planin vjeshtë-dimër është siguruar vaksinimi falas ndaj gripit për grupet e riskuara për 270 mijë qytetarë, ndërkohë që furnizimi me vaksinën ndaj COVID19 vijon. Spitali Infektiv është ne gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate. Përsa i përket masave të tjera kanë të bëjnë me përmirësimin më tej të survejancës, këtë vit do të shtohet edhe procesi i seguencimit, gjithashtu është në përfundim edhe krijimi i sistemit të ri dixhital të vaksinimit, i cili do të menaxhojë më mirë gjithë procesin e vaksinimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




