Si rezultat i punës së pandërprerë të forcave të Emergjencave Civile, ndihmuar edhe nga efektivë të Forcave të Armatosura si dhe nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, 10 vatra zjarri janë shuar në të gjithë territorin e vendit gjatë 24 orëve të fundit.



Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi informoi sot se për shuarjen e tyre janë angazhuar 100 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 mjete dhe helikopteri Cougar.



Peleshi theksoi se po shkon drejt shuarjes përfundimtare zjarri në malin e Shpiragut, ku 100 trupa dhe helikopteri Cougar i Forcave i Armatosura janë angazhuar maksimalisht prej dy ditësh për neutralizimin e plotë të flakëve.
“Është nën kontroll vatra, në fshatin Rrilë, njësia administrative Shënkoll në bashkinë Lezhë, në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane. Zjarri është shuar dhe situata po monitorohet pasi mbeturinat mund të vazhdojnë të digjen në brendësi pa u shfaqur në sipërfaqe”, theksoi ai.

Po ashtu, ministri informoi se është riaktivizuar zjarri në vendin e quajtur “Vija mbi Okol”, në fshatin Theth, të bashkisë Shkodër ku janë njoftuar strukturat e Emergjencave Civile në qark. Situata po monitorohet nga shërbimet e policisë së Thethit.
“Në fshatin Bushat, në Vaun e Dejës, zjarri në një sipërfaqe me mbeturina, është shuar plotësisht dhe zjarrvënësi është shoqëruar nga efektivët e Policisë së Shtetit”, tha Peleshi. /ata
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




