Media Galeri

Stuhia godet Mekën në Arabi. Pakistani përfshihet nga përmbytjet

Gazeta Si – Qyteti i Mekës në Arabinë Saudite është goditur nga moti i keq me stuhi të shoqëruara me erë dhe shira të rrëmbyer.

Një video është bërë menjëherë virale në rrjet, ku stuhia përplas pelegrinët në Xhaminë e Madhe të Mekës.

Erërat e forta kanë rrëzuar shtyllën dhe kanë shkatërruar objekte të tjera edhe në Xhedah. Qyteti i Xhedahut është mbuluar nga një stuhi e madhe pluhuri.

Meka u godit të martën nga erërat e forta lindore dhe një stuhi e fortë, duke shkaktuar dëme të mëdha në të gjithë vendin.

Megjithatë, pavarësisht kushteve aspak të përshtatshme të motit, pelegrinët në Mekë kanë vazhduar lutjet e tyre nën shiun e dendur.

Ndërkohë, një situatë emergjence paraqitet në Pakistan, ku provinca e Punjabit është përmbytur, pasi India derdhi disa miliona metra kub ujë në një lumë që përshkon dy vendet.

Rreth 100,000 njerëz janë evakuuar nga fshatrat e zhytur në ujë. “Ne i kemi zhvendosur në vende më të sigurta”, tha zëdhënësi i shërbimeve lokale të urgjencës. Kjo është përmbytja më e rëndë në 35 vjet.

Disa qindra fshatra në Punjab (Pakistani qendror-lindor), janë përfshirë nga përmbytjet e lumit Sutlej dhe mijëra hektarë tokë bujqësore, veçanërisht plantacione, janë shkatërruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë