Hapësira dhe objekte të braktisura që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 në Kosovë, janë bërë qendra kërkimi e disa të rinjve për të shprehur kreativitetin e tyre, por edhe për t’i kthyer ato në shërbim të komunitetit.
Në qytetin e Fushë Kosovës, në afërsi të Prishtinës, është një nga qendrat e kërkimeve të organizatës së të rinjve, “Name Comes Last”.



Në afërsi të hekurudhës, në një lagje të banuar kryesisht nga komuniteti rom, një hapësirë e mbushur me mbeturina të ngurta dhe disa vagonë treni të viteve ’70, nisi të transformohej në diçka që do të vihej në shërbim të banorëve të lagjes.
Në verën e vitit të kaluar, kjo hapësirë u shndërrua në një kënd lojërash për fëmijët e komunitetit rom.
“Fushë Kosova u bë qendra e hulumtimit dhe e motivit të punës sonë, duke synuar angazhimin afatgjatë të rinisë nga lagjet, në skenën artistike dhe kulturore të Prishtinës”, thonë për Radion Evropa e Lirë nga organizata “Name Comes Last”.



Nga kjo organizatë shtojnë se në lagjen e banuar me pjesëtarë të komunitetit rom nuk kishte ndonjë hapësirë të sigurt për fëmijët dhe adoleshentët.
Zona ku është vendosur këndi i lojërave për dekada ishte përdorur si vend për hedhjen e paligjshme të mbeturinave, duke bërë që ambienti të kontaminohej.
Kjo situatë, thotë nga “Name Comes Last”, bëri që fëmijët të ambientoheshin dhe të jetonin në këto kushte të pafavorshme. Për rregullimin e këndit të lojërave ndihmuan edhe fëmijët dhe banorët e tjerë të lagjes./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




