Gazeta Si – Stadiumi ‘Air Albania’ do të presë sot në mbrëmje (ora 20:00) një miqësore të pazakontë. Partizani kampion i Shqipërisë do të luajë me Romën e Zhoze Mourinjos, apo ‘Special One’ siç njihet në botën e futbollit dhe jo vetëm. Një miqësore që i ka bërë jehonë edhe vetë kryeministri Edi Rama.
Do të jetë një miqësore-show, në një stadium të mbushur plot, pasi thuajse të gjitha biletat në dispozicion, rreth 18:00, janë shitur. Jo vetëm se Roma është një nga skuadrat kryesore të Serisë A, por është edhe trajneri portugez ai që i tërheq tifozët si magnet me qëndrimet e tij, shpesh edhe ironike.
Roma kthehet me kujtime të bukura në stadiumin, ku në maj të 2022-shit ngriti lart trofeun e Ligës së Konferencës, të parin në histori të këtij kompeticioni. Në finale italianët mundën Fejnordin me një gol të Xaniolos. Vizita e Romës në Tiranë do të jetë e shkurtër në fakt, në total rreth 12 orë. Trajneri Mourinjo sigurisht do të realizojë qëllimin e vet, duke e testuar skuadrën për herë të fundit para nisjes së sezonit.
Partizani në anën tjetër ka fatin që të luajë një miqësore luksi, por jo në një moment shumë të mirë për të, duke qenë se është i impenjuar në Ligën e Konferencës. Të kuqtë vetëm dy ditë më parë luajtën në Letoni, ku fituan 1-2. Ata kanë pretendime për të shkuar në ‘Play-off’ dhe pse jo dhe në fazën e grupeve, ndaj dhe sot në mbrëmje mund të rezervohen disi, edhe pse të luash ndaj Romës të ndodh një herë në jetë.
Te Partizani do të mungojë sulmuesi kryesor Mba, ndërsa te Roma argjentinasi Paulo Dibala, të dy për shkak dëmtimi. Megjithatë, emocionet e spaktaklit nuk do të zbehen. Një nga të ftuarit për këtë event është edhe këngëtari Noizy.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




