Nga Gazeta ‘Si’-Ndërsa prej disa ditësh ka nisur shpërndarja e subvencioneve për blegtorët e regjistruar, fermerët duken më të zhgënjyer se kurrë.
Përpos faktit që subvencioni për mbarështimin e bagëtive është ulur nga 10 në 6 mijë lekë, pagesat po jepen të segmentuara.
Blegtorët të cilët pohojnë se sektori është në ditët e tij më të këqija, deklarojnë për Gazetasi.al se kjo skemë është qesharake dhe prej saj nuk përfitojnë asnjë ndihmë.
“Blegtoria është në rënie të lirë dhe këto subvencione janë vetëm për t’u tallur. Aq më tepër që edhe ato pagesa që po jepen, po ndahen në këste. Kjo e humb edhe atë qëllim sadopak të vogël që ka skema pasi kur i merr paratë pjesë-pjesë nuk bën dot të gjitha ndërhyrjet e nevojshme”, thotë për Gazetasi.al Ferit Hoxha, një blegtor nga Dibra i cili merret prej më shumë se 20 vitesh me mbarështimin e bagëtive.
Gjendja në këtë sektor sa vjen e bëhet edhe më keq, vëren ai, ndërsa shton se në një situatë të tillë nuk po ia “vlen më barra qiranë” për të mbajtur bagëti.
Ndërkohë që fondet nuk janë rritur, numri i blegtorëve që kanë aplikuar për të marrë mbështetje ka qenë më i shumtë krahasuar me vitin e shkuar.
Vetëm për skemën e lopëve në 2023-shin kanë aplikuar rreth 3500 fermerë dhe për të imtat 5200 fermerë. Në total, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë kanë aplikuar 8700 blegtorë, nga 6200 që ishin një vit më parë.
“Kjo rritje e aplikimeve për ne blegtorët nuk është dhe aq pozitive pasi e copëzon dhe atë pak fond që është vënë në dispozicion.
Nga ana tjetër, përse një fermer që ka 9 lopë nuk duhet të përfitojë? Kjo është absurde! Duhet mbështetur edhe ai që ka një numër sado të vogël. Blegtoria nuk është një punë me sezon, bagëtitë janë fabrika konsumi të ushqimit në çdo sekondë pa pushim”, thotë jo pak i revoltuar Hoxha për Gazetasi.al duke iu referuar masës së parë të skemës kombëtare ku theksohet se një fermer me 9 lopë nuk përfiton.
Skema Kombëtare, që aplikohet nga AZHBR, këtë vit mbështet fermat mbi 100 krerë dele dhe/ose dhi në vlerën 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt.
Ndërsa për fermat me 10 krerë lopë, mbështetja është në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt.
“Nëse qeveria vijon të mendojë se po e mbështet sektorin kështu, falimenti i të gjithë blegtorëve është i sigurt. Kjo është lëmoshë dhe jo mbështetje”, mbyll Hoxha për Gazetasi.al.
Skema kombëtare këtë vit është cilësuar diskriminuese edhe nga ekspertët.
Që masa për blegtorinë duhet të ishte menduar më mirë thekson edhe eksperti Ilir Pilku, i cili deklaron se përpos rënies së numrit të krerëve, kemi edhe prodhimtari të ulët të qumështit.
“Nuk ka rënë vetëm numri i krerëve, por kemi rendimentin më të ulët në Europë lidhur me prodhimtarinë e qumështit. Ne jemi as sa gjysma e mesatares së Bashkimit Europian dhe për këtë arsye duhet të gjejmë se cila do ishte një skemë e mirë për fermerët, në vend të lëmoshës.
Përmirësimi racor është shumë themelor ose subvencionimi i lopëve racë. Më mirë jepi fermerit 3 mijë euro për lopë racore”, thotë ai.
Në vitin 2022, shifrat nga fusha e blegtorisë rezultuan shumë më të ulëta se një vit më parë.
Referuar të dhënave të INSTAT, numri total i gjedhëve ka rënë në 297.656 në vitin 2022, nga 336.784 që ishte në vitin 2021.
Për të njëjtën periudhë edhe të gjallesat e leshta, delet, janë më pak, rreth 1.37 milionë, kur një vit më herë ishin 1.48 mln. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me të gjitha gjallesat e tjera.
Qumeshti i prodhuar është reduktuar me disa mijëra tonë. Lopët në 2022-shin prodhuan 824.9 mijë tonë qumësht, nga 859.4 tonë që kishin prodhuar në të njëjtën periudhë të vitit më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.