Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi sot se, ka nisur puna për Korridorin Blu, i cili do të lidhë veriun me jugun e vendit.
Në një postim në rrjete sociale, Balluku publikoi hartën e rrjetit rrugor infrastrukturor ku do të përqendrohen investimet për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.
“Numri i shtuar i vizitorëve në këtë sezon, padyshim ka rënduar situatën e trashëguar të trafikut në zonën Milot – Kashar”, u shpreh Balluku.
Balluku theksoi se, “lajmi i mirë është se tashmë ne kemi nisur nga puna për ta lidhur Shqipërinë Perëndimore nga veriu në jug me Korridorin Blu”.
Sipas saj, në Thumanë – Kashar, punohet me ritme të shpejta dhe është realizuar mbi 40% e volumeve. Për të vijuar me segmentet, Milot – Thumanë, Kashar – Lekaj.
“Për aksin rrugor Lekaj – Fier, janë tre kontratat që po lidhim për të nisur menjëherë nga puna. Ndërkohë që për segmentin Milot – Balldren hapim garën e ndërtimit në vjeshtë dhe për rrugën Murriqan – Lezhë që është segmenti që na lidh me Malin e Zi. Aktualisht konsulentët e WBIF po hartojnë projektin paraprak, të cilin pritet ta dorëzojnë në Dhjetor 2023”, tha Balluku. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



