Gazeta Si – Nuk ka përmbysje në “Air Albania”, Tirana u dorëzua përballë superfuqisë së skuadrës turke, Beshiktash, i cili fitoi 2-0 në raundin e dytë të Conference League.
Fitorja 3-1 e ndeshjes së parë u kombinua me një tjetër sukses në “Air Albania”, duke kaluar lehtësisht në turin e tretë të kompeticionit të tretë më të rëndësishëm të futbollit europian.
Dueli nuk kaloi pa tensione në shkallët e stadiumit për shkak të përplasjeve mes tifozëve bardheblu dhe atyre të Beshiktash, duke e detyruar arbitrin ta shtynte fillimin e ndeshjes me disa minuta.
Golat u realizuan në pjesën e dytë nga Daniel Amartey dhe Vincent Aboubakar, teksa skuadra nga Stambolli e mbylli takimin me dhjetë lojtarë. Pas daljes me të kuq të Arthur Masuaku në mesin e fraksionit të dytë.
Djemtë e Orges Shehit, iu afruan golit në disa raste, por Hasani, Kaina, Deliu dhe Abazaj nuk konkretizuan rastet e krijuara. Beshiktashi do të sfidojë në turin e tretë azerët e Neftchi Baku.
Bardheblutë eliminohen me shifrat e përgjithshme 5-1, për të lënë të vetëm nga Superliga Shqiptare, Partizanin në kualifikueset e Conference League.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




