Ekonomi

BB: Rritja ekonomike në Shqipëri nuk përkthehet në mirëqenie dhe ulje të varfërisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja ekonomike në Shqipëri nuk përkthehet në ulje të nivelit të varfërisë apo mirëqenie të qytetarëve, që duket të jetë ‘kokëfortë’.

Kështu e përcakton studimi i fundit i Bankës Botërore ecurinë e ekonomisë dhe varfërisë në Shqipëri, në kaudër të projektit të modernizmit të asistencës sociale, ndërmjet saj dhe qeverisë shqiptare.

“Shkalla e varfërisë në Shqipëri ka mbetur kokëfortësisht e lartë, pavarësisht periudhave të rritjes ekonomike edhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Me një shkallë rreth 29.3% të popullsisë vlerësuar në vitin 2022, shkalla absolute e varfërisë në Shqipëri (e matur me 5.5 dollarë amerikanë për person në ditë sipas fuqisë blerëse [PPP]) është aktualisht pothuajse dyfishi i normave të vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor për të cilat ekzistojnë të dhëna të krahasueshme të kohëve të fundit që vlerësojnë varfërinë”, thotë BB.

Ajo thekson se pati një rënie të konsiderueshme të këtij treguesi midis 2016-2018, por që u përkeqësua pas tërmetit të nëntorit 2019, i ndjekur nga pandemia e COVID‐19. ”Ajo që vihet re është se lidhja midis rritjes së PBB-së dhe shkallës së varfërisë ka qenë shpesh negative në 20 vitet e shkuara, rritja nuk reflektohet në mirëqenien e njerëzve më vulnerabël në Shqipëri” thuhet në raport.

Në një tjetër pikë banka vlerëson se Shqipëria është relativisht më mirë për sa i përket shkallës së atyre që rrezikojnë të bien në varfëri e llogaritur nga Eurostat në Ballkanin Perëndimor, por gjithsesi, ka një normë më të lartë se mesatarja e BE-së.

“Eurostat vlerëson shkallën relative të varfërisë, ose shkallën e rrezikut nga varfëria, si përqindje e njerëzve me të ardhura më pak se 60 për qind e të ardhurave mesatare kombëtare të ekuivalizuara. Në Shqipëri, rezultatet e EU‐SILC për vitin 2019 tregojnë se rreth 659,000 individët (23 për qind e totalit), ose gati 173,421 familje, jetojnë nën pragun e rrezikut nga varfëria. Kjo përqindje është e krahasueshme me vendet e tjera të rajonit . Megjithatë, varfëria relative norma është ende më e lartë se mesatarja e BE-së prej 16.5 për qind në të njëjtin vit” thotë Banka.

Projekti i modernizimit të asistencës sociale ka nisur në vitin 2012 dhe parashikohej të mbyllej në vitin 2017 por në fakt pas një rishikimi u shty për në 31 dhjetor 2022. Banka ofroi një financim rreth 60 milionë USD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë