Ekonomi

Besimi i bizneseve dhe konsumatorëve në ekonomi me rënien të fortë gjatë korrikut

Nga Gazeta ‘SI’- Besimi në ekonomi i bizneseve dhe konsumatorëve shqiptarë ra ndjeshëm gjatë muajit korrik, duke u ulur me 6.5 pikë. Nga të gjithë treguesit, vetëm besimi në tregti pësoi rritje sipas Bankës së Shqipërisë.

Treguesi i besimit të industrisë ra me 4.4 pikë përqindje në korrik ndikuar nga kërkesa aktuale dhe ajo e pritshmja. Bizneset në këtë sektor presin rënie të punësimit dhe çmimeve.

Besimi në ndërtim ka pësuar rënien më të madhe gjatë korrikut, me 12.2 pikë përqindje pas një kohe që kishte vetëm rritje. Bizneset e ndërtimit presin rënie të aktivitetit dhe kërkesës. Po ashtu edhe për punësimin dhe çmimet.

Besimi në sektorin e shërbimeve ra me 10.4 pikë përqindje në korrik lidhur po me aktivitetin e këtyre bizneseve dhe kërkesën. Gjithashtu, niveli i punësimit dhe pritjet për të në të ardhmen vlerësohen në rënie nga bizneset e ndërtimit. Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen janë rritur.

Treguesi i besimit konsumator ra me 1.9 pikë përqindje në korrik, lidhur me pritshmëritë e tyre për situatë financiare, ekonominë e përgjithshme dhe mundësinë për të bërë blerje në shuma të mëdha.

Treguesi i besimit në tregti regjistroi rritje me 1.6 pikë përqindje në muajin korrik, nga vlerësimet më optimiste për ecurinë aktuale të biznesit. Komponenti i dytë i TBT-së, pritjet për punësimin në të ardhmen pësuan rënie këtë muaj. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rritje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë