Gazeta Si – Gjergji Mullalli, 55-vjeçari që vrau të shtunën gruan dhe e hodhi në gropën septike ka vrarë veten, pasi u rrethua nga policia dhe nuk pranoi të dorëzohej.
Mullalli është gjetur i vdekur nga autoritetet e policisë në një banesë pranë fshatit Zëmblak të Maliqit dhe para se të qëllonte mbi veten, ka hapur zjarr disa herë ndaj policisë.

Policia njoftoi zyrtarisht se “pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi”.
Por, “sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar nga forcat e Policisë 55-vjeçari, ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë. Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Policisë për t’u dorëzuar, ky shtetas është vetëvrarë”.
Konfliktet mes çiftit, prindër të tre fëmijëve shkuan deri aty derisa ditën e djeshme, 55-vjeçari e vrau gruan me armë zjarri dhe e hodhi në një gropë septike, pranë banesës.
Mullalli dyshohet se e vrau bashkëshorten Luiza Mullalli, 46 vjeçe për motive xhelozie. Ata ishin në proces divorci. 55-vjeçari e ka qëlluar gruan me një armë zjarri disa herë në pjesën e gjoksit.
Sipas familjarëve të viktimë, e cila kishte dhe urdhër mbrojtjeje, bëhet fjalë për një kronikë të një ngjarjeje të paralajmëruar, që edhe pse shkoi deri në dyert e policisë nuk u zgjidh.
Luiza jetonte me djalin, teksa dy vajza i kishte të martuara dhe jetonin në Greqi. Sipas familjarëve, bashkëshorti, kishte tentuar dhe më parë ta mbyste gruan e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



