Ngjarje

Maliq/ Vrau gruan dhe trupin ia hodhi në gropën e ujërave të zeza! Ishin në proces divorci. Familjarët: Tentoi edhe më parë ta vriste. Shkak, xhelozia

Gazeta Si – Luiza Mullalli, 46-vjeçarja e cila prej kohësh vuante dhunën nga bashkëshorti i saj ishte në proces divorci dhe gruaja ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje për shkak të dhunës. Një nga arsyet e vrasjes makabre, dyshohet të jetë xhelozia.

Por Gjergji Mullolli, 55-vjeçari që vrau bashkëshorten e tij një natë më parë, vijon të mbetet ende në arrati. Policia nuk ka mundur që të zbulojë gjatë natës se ku është fshehur autori, ku pasi i mori jetën bashkëshortes, e hodhi në një gropë septike pranë banesës së saj në fshatin Zëmblak të Maliqit.

Policia bëri me dije se ai e ka qëlluar me armë zjarri Luizën. Dyshimet kryesore, janë që ai e ka kryer vrasjen për motive xhelozie.

Autori i dyshuar i ngjarjes, Gjergji Mullalli

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Personit të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me këtë ngjarje referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin Gjergji Mullalli, 55 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij shtetasen Luiza Mullalli, 46 vjeçe, të cilën më pas e ka hedhur në një gropë septike, pranë banesës së saj”, njoftoi policia këtë të diel.

Çifti Mullalli ishte në proces divorci. Ata kanë qenë të martuar prej 25 vitesh dhe ishin prindër të 3 fëmijëve, 2 vajzave dhe 1 djali. Për shumë vite, familja Mullalli jetoi në kryeqytetin grek, Athinë.

Pas krimit makabër, babai i Luiza Mullallit, Havzi Ferati ka dhënë deklaratë për mediat për vrasjen e vajzës së tij 46-vjeçare nga bashkëshorti i saj. Ferati thotë se fillimisht ishte nipi ai që e ka kontaktuar sepse e ëma nuk i përgjigjej në telefon.

Të dy janë nisur për të kontrolluar dhe së bashku me policinë kanë kërkuar për Luiza Mullallin. Ferati thotë se prej një viti Luiza kishte urdhër mbrojtjeje ndërsa tre ditë më parë e kishte gjetur shtëpinë të hapur.

Ai shton se Gjergj Mullalli ishte treguar i dhunshëm edhe më parë, kishte tentuar ta mbyste 46-vjeçaren ndërsa nuk është proceduar asnjëherë penalisht.

Në një gjendje të tronditur, nëna e 46-vjeçares Luiza Mullalli, ka akuzuar motrën e autorit për vrasjen e së bijës.

Gjatë ditës ajo nuk ishte kontaktuar si zakonisht nga Luiza pas kthimit nga puna. Kanë qenë mbesat, të cilat jetojnë në Greqi që kanë telefonuar gjyshen e tyre për t’i kërkuar të kontrollonte 46-vjeçaren. Nëna  e viktimës thotë se “kriminelja është motra e Amerikës, kunata ka urdhëruar vrasjen”.

Të tjerë dëshmitarë, si trajneri i çiklizmit djalit të çiftit, tregoi për mediat se Gjergj Mullalli zihej me bashkëshorten, ishte xheloz dhe i sëmurë psikik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë