Gazeta Si – Menjëherë pa publikimit të vendimeve të Këshillit Kombëtar, që anulonte zgjedhjet për kreun e PD-së, ka ardhur edhe reagimi i Lulzim Bashës. Ai duket se i injoron këto vendime, duke u bërë thirrje demokratëve që të votojnë për zgjedhjet e 29 korrikut.
“Të shtunën, më 29 korrik, demokratët do të shprehin vullnetin e tyre në një nga momentet më të rëndësishme për Partinë Demokratike. Ata do të votojnë jo vetëm për kryetarin, por për të nisur një rrugëtim të ri, të organizimit, ringritjes dhe shndërrimit të PD në alternativën që duan dhe presin shqiptarët”, – shkruan Basha në postimet e tij të shoqëruara me takimet e tij më bazën.

Basha thekson se PD nuk është pronë e asnjë individi dhe se është koha për ta ringritur këtë parti. “Partia Demokratike nuk është pronë e asnjë individi, por investim i përbashkët i demokratëve, të cilët e kanë mbrojtur atë në ditë të vështira dhe pas çdo sfide ia kanë dalë ta bëjnë atë edhe më të fortë.
Jam i bindur se kështu do të ndodhë sërish, sepse këtë presin prej nesh shumica e shqiptarëve. Ndonëse jemi përballur me një agresion të pandërprerë, nuk jemi mposhtur, as dorëzuar, por kemi qëndruar e qëndrojmë të vendosur për kauzat tona dhe më të vetëdijshëm se kurrë për vlerat që na bashkojnë e misionin që na thërret”, – shprehet Basha.
Më tej ai shton se “kërkohet një lidhje e re dhe e pastër me të djathtën historike, me njerëzit e lirë dhe demokratë që ishin radha e parë e persekutimit komunist, me kontribuuesit pas viteve ’90, me të gjithë anëtarët e partisë, qytetarët, intelektualët, gratë dhe të rinjtë, sipërmarrësit, fermerët dhe grupet e interesit, ne do të ndërtojmë alternativën më të mirë të Partisë Demokratike dhe të djathtës shqiptare”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




