Politike

Këshilli anulon zgjedhjet e 29 korrikut, ngrin Kryesinë dhe pranon dorëheqjet e Bashës dhe Alibeajt

Gazeta Si – Dy ditë përpara zgjedhjeve për kreun e PD-së, Këshilli Kombëtar i mbledhur pasditen e së enjtes online, ka votuar për anulimin e këtij procesi, duke i nxjerrë një tjetër pengesë rikthimit të Lulzim Bashës në krye të PD-së, të paktën nga ana e statutit.

Por këshilli nuk është ndaluar vetëm më kaq. Pas relatimit të Sekretarit të Përgjithshëm Bardhi, Këshilli Kombëtar ka konstatuar dhe pranuar dorëheqjen e datës 21 mars 2022 të Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe dorëheqjen e datë 17 Maj 2023 të Nënkryetarit të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj.

Këshilli po ashtu ka ngrirë për një vlerësim të dytë dorëheqjet e Nënkryetarëve Agron Gjekmarkaj dhe Jorida Tabaku, pasi nuk u konsideruan si të parevokueshme. Ka marrë vendim që ka ngrirë Kryesinë, që e cilësoi si të paligjshme nismën e Bardhit për mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
Këshilli Kombëtar ka ngrirë edhe funksionin e Kryesisë së PD.

“Këshilli Kombëtar vërejti se të gjitha vendimet dhe qëndrimet e Kryesisë së Partisë duke filluar nga data 6 Qershor 2023, janë antistatutore, të marra pa kourum, dhe nuk kanë mbajtur në konsideratë pasojat që mund të sjellin në përçarjen dhe dobësimin e mëtejshme të partisë.

Aktet e Kryesisë së Partisë kanë arritur deri më aty sa kanë përdorur, falsifikuar dhe prodhuar në mënyrë të paautorizuar vulën e PD, përmes një vendimi nul dhe antistatutor. Të gjitha këto vendime janë anuluar dhe Këshilli Kombëtar ka vendosur të pezullojë veprimtarinë statutore të Kryesisë së PDSH, deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj”, thuhet në vendimin e Këshillit.

Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi në nisje të mbledhjes ka informuar anëtarët e Këshillit Kombëtar se dje në mesnatë ka marrë një email anonim nga një adresë e-mail: “[email protected]” në emrin e një anëtari të Këshillit znj. Flutura Açka, ku bashkëlidhur ishte një dokument pa firmë, pa vulë dhe pa numër protokolli, për shfuqizimin e aktit të thirrjes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar nga Sekretari i Përgjithshëm. Z. Bardhi mësohet se ka kërkuar që përpara se të kalohet tek miratimi i Rendit të Ditës, të diskutohet mbi këtë situatë.

Tre anëtarët e Komisionit të Drejtimit të Mbledhjes Dhurata Çupi, Bledion Nallbati dhe Lefter Geshtenja, lexuan qëndrimin e tyre për situatën, duke e cilësuar jo të drejtë vendimin e Komisonit të Etikës.
“Email i nisur në emër të një organi statutor të PD –së, siç është Komisioni i Apelimit, Etikës dhe Integritet, është një shkelje e rëndë statutore për shkak se ky organ statutor nuk është miratuar nga Këshilli Kombëtar, nuk është konstituuar dhe për pasojë nuk ekziston.

Nga ana tjetër, argumentet e dhëna në shkresën pa firmë, pa vulë dhe pa numër protokolli, me emrin e poshtëshënuar “Kryetari Flutura Açka”, janë tërësisht antistatutore dhe kanë si qëllim përhapjen e lajmit të rremë për moszhvillimin e mbledhjes, me qëllimin e vetëm të pengimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar”, thuhet në komentet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë