Politike

‘Nuk i trembem hetimit’/ Meta: Largimi i Gjiknurit, lojë shahu e Ramës

Gazeta Si – Një lojë shahu e kryeministrit Edi Rama. Kështu i ka cilësuar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, lëvizjet më të fundit në Partinë Socialiste, ku në Asamblenë Rama shkriu të gjithë sekretariatin.

“Nuk besoj se ka lajme të reja nga selia e Partisë Socialiste. Kemi të bëjmë gjithmonë me lëvizje gurësh shahu për të vazhduar të njëjtën lojë, edhe për të mbajtur në këmbë këtë sistem, i cili është ndërtuar falë kapjes së shtetit me një njeri të vetëm.

Ndaj dhe dje, në vend që të shikonit një atmosferë të gëzueshme, festive apo të hapur, mbas një fitore të jashtëzakonshme më 14 maj, ju patë për aq sa ndoqët një mbledhje të mbyllur dhe për çudi një shkrirje të sekretarit të partisë, i cili normalisht kishte punuar, sipas rezultateve”, – tha Meta në një intervistë në ABC NEWS.

Ne foto: Ilir Meta

Sipas tij, vendi është në një krizë të jashtëzakonshme për shkak të kapjes së shtetit. “Jo thjesht nga një parti e vetme, por dhe nga një person i vetëm, për shkak të asgjësimit të votës së lirë dhe llogaridhënies brenda kësaj partie, por njëkohësisht në të gjithë institucionet e shtetit, përfshirë dhe kuvendin e Shqipërisë. Natyrisht, kjo krizë të tilla absurditete do të prodhojë në vazhdimësi”, – theksoi Meta.

Për vetë Gjiknurin, Meta ka këtë vlerësim: “Nuk kam asnjë koment të veçantë, për arsye sepse jam shprehur dhe më parë për përgjegjësitë e tij dhe arrogancën e tij, për shumë çështje, ku ai ka qene pjesë e shkeljeve të ligjit, të manipulimit të shumë çështjeve, siç ka qenë rasti i provuar botërisht i tërmetit të Dibrës dhe jo vetëm atje, edhe natyrisht të gjitha aferave të cilat padiskutim i ka mbështetur me garanci të Edi Ramës”.

Sa i përket hetimeve të nisura në lidhje me procesin e lobimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish-presidenti tha se nuk i trembet hetimit, duke aluduar se sulmet ndaj tij dhe partisë që po drejton vijnë nga bosët e inceneratorëve.

“Nuk i druhem asnjë veprimi të askujt përballë Ilir Metës apo dhe përballë Partisë së Lirisë, për arsye se ne jemi gjithmonë përballë qytetarëve, ne jemi gjithmonë përballë publikut. Ne jemi gjithmonë përballë të vërtetave dhe mbi të gjitha sepse gjithmonë kemi qene dhe jemi me ligjin, me Kushtetutën dhe me transparencën.

Ju bëtë një pyetje konkrete dhe përmendët një gazetë austriake, ju duhet ta dini që të gjithë bosët e inceratorëve që vazhdojnë të paguhen dhe që nuk ndërpriten pagesat janë të gjithë në Austri.
Ju duhet ta keni të qartë që ne kemi një marrëveshje ekstradimi me SHBA dhe e përmend këtë për t’i dhënë fund çdo spekullimi qesharak që nxitet prej kohësh nga mediat e Edi Ramës dhe nga të gjithë ata që ai i paguan për të mbyshur me informacion ekranet tuaja në mënyrë që të shmanget vëmendja nga çështja e inceneratorëve, nga dhjetra milionë euro të qytetarëve shqiptarë, që vidhen çdo ditë, duke u përpjekur për të krijuar lajme të rreme për denoncuesit kryesorë të aferës inceneratorëve. Kështu që çdo veprim i PL ka qene totalisht transparent, ka qene përmes bankës të audituar nga KQZ. Kështu që këto janë të gjitha përralla”, – u shpreh Meta.

Sa i përket opozitës, Meta tha se do të mbështesë çdo aksion që do të ndërmarrë Berisha, aleati i tij kryesor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë