Nga Gazeta Si- Që prej 15 qershorit, kur u hapën qendrat shëndetësore në zonat turistike e deri më sot, afro 20 mijë pushues, 10% prej të cilëve të huaj, kanë kërkuar ndihmën e bluzave të bardha për problematikat shëndetësore që janë shtuar sidomos në ditët e pikut të të nxehtit.
Muaji korrik ka shënuar rritje vizitash shëndetësore dhe në zonat turistike, në të cilat janë hapur 30 qendra shëndetësore në ndihmë të pushuesve.
Drejtoresha e Operatorit Kombëtar Shëndetësor Mirela Cami në një prononcim për Gazetasi.al thotë se deri më tani janë regjistruar 20 mijë vizita ku rekordin e numrit të lartë të pacientëve e mban Velipoja ndërsa Shëngjini e Durrësi janë me numrin optimal të pushuesve të sëmurë gjatë kësaj periudhe kohore.

Sipas drejtoreshës Cami, përveç 30 pikave shëndetësore nga jugu në veri, në dispozicion të pushuesve janë dhe 18 ambulanca që ofrojnë ndihmë të specializuar.
“Rastet më të shpeshta që paraqiten në qendrat shëndetësore në zonat turistike, janë ato në plazhe ku pushues mbi 65-vjeç apo fëmijë paraqiten më së shumti për ndihmë mjekësore. Kryesisht janë të sëmurë kronikë që paraqesin problem me tensionin, zemrën, por ka dhe raste të problemeve gastro-enterite si dhe pickime në det nga kandilat apo iriqët e detit”, thotë Cami.
Drejtoresha e Operatorit Shëndetësor shpjegon se qendrat shëndetësore në zonat turistike janë në të njëjtin destinacion si vitin e kaluar me përjashtim të ndonjë qendre të re të shtuar këtë vit.
Cami thotë se pushuesit njoftohen për vendndodhjen e qendrës shëndetësore dhe numrin e urgjencës nga hotelet ku janë akomoduar por dhe nga shërbimet shëndetësore që lëvizin në këto zona.
Durrësi, rekord rastesh pickimi nga kandilat dhe iriqët e detit
Aurora Hyka, drejtoreshë e njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor Durrës thotë për Gazetasi.al se në raport me vitin e kaluar, kjo verë ka shënuar një fluks të rritur të pushuesve që paraqiten në 4 qendrat shëndetësore të hapura në plazhin e Durrësit, Currilave, Shkëmbit të Kavajës dhe Gjirit të Lalzit, kryesisht me simptoma të pickimeve në det nga kandilat dhe iriqët e detit.
“Me rritjen e temperaturave, sidomos në plazhin e Durrësit, zona pranë hotel “Adriatik”, janë konstatuar fluks rastesh me pickime në det. Më së shumti janë fëmijë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Por nuk mungojnë dhe raste nga pushues të rritur”, thotë Hyka.
30 qendrat shëndetësore në zonat turistike do të qëndrojnë të hapura deri në muajin shtator. Për funksionimin e shërbimit, në këto qendra janë punësuar afro 150 mjekë të rinj, kryesisht specializantë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




