Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin për 7 anëtarët e grupit kriminal, të cilët më 9 prill 2019 grabitën rreth 5 milionë euro në një avion që pritej të nisej drejt Austrisë në aeroportin e Rinasit.
Por gjatë ndjekjes nga policia dhe pas shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë organizatori kryesor i grabitjes, Admir Murataj.
Në tetor 2022, Gjykata e Posaçme dha 122 vite burg në total për autorët. Kështu, Klement Çala është dënuar me 20 vjet burg, ndërsa me nga 17 vjet burg janë dënuan 6 të pandehurit e tjerë: Eldi Çala, Oltjon Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Alkdon Bengasi.
I dyshuar për këtë ngjarje është edhe i shumëkërkuari Talo Çela, por çështja në ngarkim të tij është ndarë, pasi vazhdon që të jetë në kërkim nga autoritetet.
Edhe pse kanë kaluar vite nga kjo ngjarje, nga ana e grupit të hetimit nuk janë mundur që të gjenden paratë që janë grabitur.
Gjatë arrestimit të të dyshuarve është gjetur një sasi shumë e vogël parash, që janë krahasuar me numrin e serive të parave të humbura nga bankat e nivelit të dytë.
Dy vëllezërit nga Elbasani, Klement dhe Eldi Çala, që ishin nga personat kryesorë që morën pjesë në grabitjen spektakolare brenda aeroportit të Rinasit, u arrestuan në vitin 2020, pas 3 vitesh kërkim.
Mbi 300 forca policie nga Tirana, Durrësi, RENEA dhe ato FAST morën pjesë në megaoperacionin për kapjen e tyre.
Gjurmimi i tyre u bë me metoda speciale të hetimit, pasi shpesh herë ata ndryshonin edhe vendbanimet. Në momentin e ndërhyrjes, Klement dhe Eldi Çalës iu sekuestruan 3 pistoleta, dy makina dhe dy motorë, si dhe një shumë prej më shumë se 100 mijë eurosh.
Hetimet zbuluan se paratë e gjetura të fshehura në pjesë të ndryshme të makinës, brenda garazhdit të vilës ku ata jetonin, janë para të grabitura nga barku i avionit në 9 prill 2019.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.