Hakerët dhe propagandistët po e përdorin inteligjencën artificiale për të krijuar malware, për të hartuar email-e bindëse phishing dhe për të shpërndarë dezinformim në internet, ka deklaruar për Reuters zyrtari më i lartë kanadez për sigurinë kibernetike; një provë e hershme kjo që tregon se revolucioni teknologjik që ka përfshirë Silicon Valleyn, është marrë në shfrytëzim edhe nga kriminelët kibernetikë.
Sami Khoury, kreu i Qendrës Kanadeze për Siguri Kibernetike, tha se agjencia e tij ka parë se inteligjenca artificiale po përdoret “në email-e phishing, ose në hartimin e email-eve në një mënyrë më të fokusuar, në kode malware e gjithashtu në keqinformim dhe dezinformim”.
Khoury nuk dha detaje ose prova, por pohimi i tij se kriminelët kibernetikë janë duke përdorur inteligjencën artificiale, shton një urgjencë mbi shqetësimet e mëdha mbi përdorimin e teknologjisë në rritje nga keqbërësit.
Në muajt e fundit, disa monitorues të sigurisë kibernetike kanë publikuar raportime paralajmëruese mbi rreziqet hipotetike të inteligjencës artificiale – veçanërisht programet e përpunimit të gjuhës me avancim të shpejtë të njohur si modele të mëdha gjuhësore (LLM), të cilat bazohen në vëllime të mëdha të tekstit për të hartuar dialogë dhe dokumente që tingëllojnë shumë bindëse.
Në mars, organizata evropiane e policisë, Europol, publikoi një raport ku thuhej se modele sikurse ChatGPT-ja e OpenAI e kishte bërë të mundshëm “imitimin e një organizate apo individi në një mënyrë shumë reale me vetëm një zotërim bazë të gjuhës angleze”.
Në po të njëjtin muaj, Qendra Kombëtare e Britanisë për Siguri Kibernetike, nëpërmjet një blog-u tha se ekzistonte një rrezik që kriminelët “mund të përdorin LLM-të për të ndihmuar me sulme kibernetike përtej kapaciteteve të tyre aktuale”. /Telegraf
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.