Nga Gazeta ‘Si’ - Harta e nacionaliteteve të turistëve që po vijnë për pushime në Shqipëri, ka ndryshuar këtë vit.
Ndonëse vitin e shkuar ishin turistët nga Europa Lindore dhe Lindja e Mesme ato që mbajtën peshën kryesore dhe “shpëtuan” turizmin, këtë vit prurjet më të mëdha sipas tur-operatorëve turistikë janë nga Europa Perëndimore dhe Amerika Latine.
Vasil Bedinaj, kreu i tur-operatorëve turistikë të jugut thekson për Gazetasi.al se gjeografia e turistëve ndryshoi shpejt brenda një viti.
“Nga polakët, çekët dhe turistët nga Lindja e Mesme që deri vjet mbizotëronin krahasuar me nacionalitetet e tjera, këtë sezon po vëmë re një lloj tjetër klientele.
Kemi një fluks turistësh nga Spanja, Amerika Latine dhe Gjermania. Duken një treg premtues që do të rizgjedhin sërish Shqipërinë”, tregon ai për Gazetasi.al.
Në fakt, edhe në raportimin më të fundit të INSTAT mbi strukturat akomoduese, vihej re që kishte një rritje të turistëve nga Gjermania dhe Italia.
Për muajin maj, pas shtetasve të Kosovës që kishin përqindjen më të lartë, 9.1% e turistëve që kishin vizituar Shqipërinë ishin gjermanë, të ndjekur nga italianët që zinin një peshë prej 7.8%.
Por megjithatë, ky nuk ishte një lajm dhe aq surprizë për tur-operatorët, sidomos për turistët latinë.
Shtimi i dy linjave të reja direkte fluturimi me Spanjën, përkatësisht nga Madridi dhe Barcelona gati 5 herë në ditë, ka rritur ndjeshëm prurjet e turistëve spanjollë në Shqipëri vitin e shkuar.
“Janë kompanitë spanjolle dhe portugeze të cilat meqë këto dy vitet e fundit filluan turizmin me Shqipërinë, me numra të lartë pushuesish që zgjodhën vendin tonë, janë edhe organizatorë të grupeve të Amerikës Latine.
Pikërisht këta tur-operatorë me anë të ofertave dhe paketave të ndryshme grumbullojnë klientë dhe i organizojnë në grupe me autobusë drejt Shqipërisë. Mund të themi se që pas hapjes së tregut me Spanjën, ka pasur prurje dhe zgjerim të numrit të turistëve nga Amerika Latine”, thotë për Gazetasi.al Besnik Vathi, kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve.
Ai thotë se klima dhe kultura në Shqipëri është e ngjashme me të tyren, ndaj njëmend do të jenë dy faktorë që do të favorizojnë ardhjen e tyre.
“Klima dhe kultura jonë me ta është pak a shumë e njëjtë dhe këtu ata ndihen si në shtëpi. E gjejnë vetën si tek arkitektura ashtu edhe tek historia. Ata e dua turizmin e aventurës. Hiking, kanoe, hedhje me parashutë dhe sporte të kësaj natyre. Por njëkohësisht, ata parapëlqejnë edhe turizmin e kulturës”, thekson ai.
Turistët nga Lindja e Mesme, jo në të njëjtat kuota sa vitin e shkuar
Në 2022-shin turistët nga Lindja e Mesme që erdhën përmes linjave direkte të fluturimit, ishin tregu që ndikoi në tejkalimin e shifrave të 2019-ës, atij që konsiderohej si viti më i mirë turistik.
Politikat e ndryshme dhe kufizimet e udhëtimeve të BE-së për shkak të Covid-19, bënë që shumë turistë, sidomos ato nga Egjipti, të lëviznin në të gjithë Ballkanin por përqendrimin më të lartë e patën në Shqipëri.
Megjithatë, Shqipëria u gjend pak e papërgatitur për të përballuar disa nga kërkesat specifike që ky treg kërkon.
Këtë vit, sipas tur-operatorëve ata duket se janë më të paktë në numër dhe kanë zgjedhur shtete të ndryshme të Europës, në një kohë kur Covid-19 nuk shkakton më kufizime në udhëtime.
Jugu, rajoni më i preferuar
Bedinaj thotë për Gazetasi.al se përgjithësisht pronotimet më të hershme janë bërë për hotelet në jug të vendit.
I pyetur nëse ka ndikuar promovimi i tij në mediat e huaja, Bedinaj thotë se efektet e tij do të reflektohen vitin e ardhshëm.
“Promovimi i muajve të pranverës nuk ndikon menjëherë, ndonëse sigurisht është pozitiv. Por ata që lidhin kontrata ose pronotojnë e bëjnë këtë që në muajt e parë të vitit.
Mbetet për t’u parë sezonin e ardhshëm turistik se sa efekt do të kenë këto promovime”, mbyll ai fjalinë për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.