Kosova

Dronët Bajraktar të Kosovës, KFOR qetëson Serbinë: Hapësira ajrore kompetencë e jona

Nga Gazeta Si- KFOR duket se ka shuar entuziazmin e qeverisë së Kosovës për blerjen nga Turqia të dronëve luftarak Bajraktar. Me anë të një deklarate theksohet se kontrolli i hapësirës është një autoritetet i Aleancës së NATO-s, e konkretisht KFOR.

“Lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimet përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, Komandanti i Forcave të Kosovës (KFOR) ka autoritetin kryesor për hapësirën ajrore mbi Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Më tej theksohet se KFOR-i pret që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese.

“Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale; hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it. Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, theksohet në deklaratë.

Më tej, theksohet se “KFOR-i vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës sipas mandatit të tyre fillestar, duke përfshirë operacionet e mbrojtjes civile siç janë shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme.

“KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e përmendur të OKB-së”, përfundon komunikata. Blerja e dronëve nga Turqia pati rritur shqetësimin e Serbisë. Kritikat ndaj Ankarasë erdhën pikërisht nga presidenti Aleksandër Vuçiç, që nuk e mikpriti vendimin e Erdogan. Por kjo deklaratë e KFOR, duket se ka qetësuar Beogradin zyrtar e që ndërmerret më tepër në kuadrin e shtensionimit të situatës ndërmjet dy shteteve, që kulmuan me 29 maj me dërgimin e katër kryetarë shqiptarë të komunave me shumicë serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë