Nga Gazeta ‘SI’ – Projektligji i qeverisë për të miratuar prodhimin dhe eksportin e kanabisit mjekësor ka nisur rrugëtimin në komisionet ndërparlamentare ku është shoqëruar me debate dhe kundërshtime.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri prezantimin e projektligjit duke përmendur se kjo është një mundësi për rritje të ekonomisë së Shqipërisë dhe renditjen e saj krahas vendeve të pasura që e kanë legalizuar këtë aktivitet.
Deputeti demokrat Tritan Shehu, si relator i këtij projektligji tha në komisionin e Shëndetësisë se projektligji po kalohet në petkun shëndetësor, kur qëllimi në fakt është legalizimi i drogës. Ai tregoi në komision përgjigjen e zyrës së Parlamentit Europian mbi këtë ligj, duke hedhur poshtë deklaratën në pr.ligj ku thuhet se është marrë ekspertiza e europianëve.
“Parlamenti Europian thotë vetëm se është në dijeni. Kaq. KE thotë se Shqipëria duhet të konsiderojë aftësitë ligjzbatuese dhe administruese që ka vendi duke treguar rezervat që ka. ‘Ky ligj nuk i adreson rreziqet që ka ky aktivitet dhe nuk tregon se si do t’i qaset Shqipëria rreziqeve të trafikut dhe kultivimit të paligjshëm, e pastrimit të parave. Projektligji nuk po trajton çështjen kryesore, mungesën e një strategjie kombëtare të drogës’”, citoi Shehu përgjigjen nga zyra e KE-së në Tiranë.
Ai shtoi se pa asnjë arsye qeveria e kaloi me shpejtësi në Kuvend dhe po mundohet po me aq shpejtësi ta miratojë, brenda këtij sesioni.
“Mospërputhje me kodin Penal. Paqartësi me përcaktimet, nëse synohet eksporti apo prodhimi i brendshëm. Në ligj nuk ka asnjë përkufizim që dallon ‘mjekësore’ dhe ‘industriale’. Aty ka kufizime në masën territoriale por jo në sasinë e THC-së (psikoaktivi që gjendet në bimë) që mbillet. Kjo krijon një vakum ligjor për ligjin e barnave narkotike sepse nuk përcaktohet % e THC-së. Sipas rregullave në Europë, sasia e THC-së për kanabisin industrial përcaktohet vetëm 0.3%, në pr.ligjin tonë thuhet 0.8%, kjo është shumë e lartë”, tregoi deputeti Shehu.
Deputetja Albana Vokshi ngriti në komision pikëpyetje se pse duhet ta ndërmarri ministria e Shëndetësisë këtë projektligj kur nuk ka kapacitete as për mbjellje, as për kultivimin, prodhim dhe transport. Vokshi përmendi se MSH nuk kryen as detyrimin e saj kryesor, publikimin e raportit të përdorimit të drograve në vend.
Në përgjigje të akuzave, Manastirliu tha se i vetmi qëllim i ligjit është prodhimi i kanabisit mjekësor dhe eksportimi e se akuzat për legalizimin e drogës konfuzojnë publikun.
“MSH është së bashku me Ministrinë e Bujqësisë dhe të Brendshme në këtë projektligj. Ne do të kemi në varësi Agjencinë e kontrollit të Kanabisit që koordinohet me të gjitha institucionet e tjera. Agjencia do të ketë personel ekspertësh, rreth 30 punonjës fillimisht”, tha ministrja e Shëndetësisë duke shtuar se investimet mund të shkojnë mesatarisht 1.5 mln euro për ha, por varet nga lloji i investimit që bëhet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




