Gazeta Si – Dy ditë pas dhunës brutale të fisit Rraja ndaj dy kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja për një konflikt për punimet në gurore, policia ka ushtruar mëngjesin e kësaj të shtunte kontrolle në banesa dhe biznese.
Kontrollet që kanë nisur në orët e para të mëngjesit, po kryen në zonën e Niklës dhe Tapizës. Aksioni i sotëm ka vijuar në kuadër të kontrolleve për kapjen e personave me precedentë penal dhe të shpallur në kërkim.
Sipas burimeve policore, rreth 100 efektivë kanë nisur kontrollet që nga ora 5 e mëngjesit në këto zona, ndërsa janë parë me dhjetëra furgonë të RENEA-s dhe policisë.
Në kërkim për ngjarjen e rëndë janë Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja dhe Rexhep Rraja, ky i fundit djali i deputetit socialist, Rrahman Rraja.
Teksa dje në pranga 4 persona të tjerë, të identifikuar nga video e bërë publike nga momentet e dhunës me mjete të forta.
Ndërkohë, më herët, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka pasur një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku.
Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, takimi I mbajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, vjen pas dhunës brutale të ushtruar nga fisi Rraja banorëve të zones, të cilët ishin ankuar për guroren e tyre në Borizanë të Krujës.
Jashar dhe Bilbil Maja u dhunuan me shkopinj bejsbolli, sende të forta dhe pistoletë nga disa persona teksa po konsumonin një kafe. Në lidhje me këtë ngjarje është publikuar një video që është xhiruar nga një prej agresorëve ku duket Jashari që shembet në tokë sapo ngrihet nga tavolina, ndërsa goditjet ndaj Bilbilit vijuan për më shumë se 1 minutë.
Edhe pasi bie në tokë pa ndjenja, persona të shumtë vazhdojnë ta godasin Bilbilin me shkopinj bejsbolli në trup e në gjymtyrë, ndërsa njëri prej tyre i mban të drejtuar një pistoletë. Ata përfunduan në spital me plagë të rënda.
Policia tha fillimisht se i kishte shoqëruar 8 persona të përfshirë në këtë akt dhune barbare.
Më pas njoftoi se kishte arrestuar 4 prej tyre; Ineidi Rraja, Andi Rraja, Eni Kullaj e Kujtim Përdaku dhe se kishte shpallur në kërkim 4 të tjerë, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja e Rexhep Rraja. Ky i fundit djali i deputetit socialist, Rrahman Rraja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.