Nga Gazeta ‘Si’-Ekonomia e Shqipërisë do të zgjerohet me 3.3% këtë vit sipas parashikimit të Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës (WIIW).
Parashikimi është në përmirësim nga vlerësimi i mëparshëm i cili ishte me 3%.
Për 2024-n Instituti i Vjenës parashikon rritje me 3.8% ndërsa për vitin 2025, rritja do të jetë me 4%.
Parashikimi për 23 vendet e rajonit, tregon se inflacioni ende i lartë, shtrëngimi i politikës monetare dhe një mjedis ekonomik ndërkombëtar i dobët, po rëndojnë mbi ekonomitë e rajonit.
Sipas tij edhe pse shumica e vendeve të rajonit, me përjashtim të Hungarisë, do të shmangin recesionin gjatë gjithë vitit, ata do të kenë rritje ekonomike më të vogël, në krahasim me vitin e kaluar.
Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, do të rriten mesatarisht me 1.9%. Mali i Zi (3.5%), Kosova (3.4%) dhe Shqipëria (3.3%).
Rritja do të jetë më e ngadaltë në Serbi (1.3%), Bosnje dhe Hercegovinë (1.5%) dhe Maqedoninë e Veriut (1.6%).

“Vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe vendet anëtare të BE-së të Europës Juglindore, Rumania dhe Kroacia, do të tregojnë performancë rritjeje mbi mesataren, falë flukseve të mëdha hyrëse të fondeve të BE-së, remitancave, investimeve të huaja dhe të ardhurave nga turizmi”, thuhet në raport i cili thekson se tensionet e fundit në veri të Kosovës me Serbinë mund të ndikojnë negativisht në atraktivitetin e tyre për investime në të ardhmen.
Rusia, pavarësisht se vuan nga sanksionet dhe një rënie e mprehtë e të ardhurave nga energjia, pritet të rritet me 1% përsëri këtë vit, falë lulëzimit të industrisë së mbrojtjes ndërsa Ukraina mund të rimëkëmbet pak këtë vit, me rritje 2% .
Raporti thekson se inflacioni ka kaluar kulmin në të gjitha vendet e vëzhguara dhe ka të ngjarë të mbetet i lartë për disa kohë.
Mesatarisht, do të jetë rreth 16% në rajon në vitin 2023, pothuajse tre herë më i lartë se në Eurozonë (5.7%).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



