Sociale

Shfrytëzimi i të miturve, nis monitorimi i rasteve në rrugët e Tiranës

Prindërit apo kujdestarët që nxjerrin fëmijë të mitur për të kërkuar lëmoshë në rrugë apo për forma të tjera shfrytëzimi do të raportohen te organet përkatëse.

Nisur nga fenomeni i fëmijëve në situatë rruge, situatë e cila i ekspozon fëmijët ndaj formave të dhunës, abuzimeve, shfrytëzimit dhe trafikimit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, ka hartuar një plan masash të përbashkët, për parandalimin dhe trajtimin e këtij fenomeni në kryeqytet.

Ndërkohë që nuk ka ende të dhëna zyrtare për planin e masave, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka thënë se ka si qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e keqtrajtimit dhe shfrytëzimit në situatë rruge, identifikimin dhe dhënien e ndihmës së menjëhershme, si dhe referimin e rasteve në organet kompetente.

Gjithashtu ka si qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e fenomenit të lypjes nga fëmijët, në rrugë, rritjen e ndërgjegjësimit të gjithsecilit për këtë fenomen, si dhe zbatimin e ligjit për procedimin penal të prindërve ose të kujdestarëve ligjorë të fëmijëve, nëse do të konstatohen raste të shfrytëzimit të tyre.

Në kuadër të këtij plani masash janë ngritur grupe pune të posaçme me punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të komisariateve në varësi të saj, të Skuadrave të Terrenit të Shërbimeve Sociale dhe të Bashkisë Tiranë, të cilët kanë një rol kyç në ecurinë e këtij procesi.

Këto grupe pune po monitorojnë terrenin, me qëllim identifikimin, vlerësimin e nevojave, dhënien e ndihmës së menjëhershme, referimin e rasteve dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

Qytetarët që do të konstatojnë raste të fëmijëve në situatë rruge, të telefonojnë në numrat pa pagesë 112 (Policia) dhe Alo 116-111 (Linja e Këshillimit për Fëmijët).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë