Pezullimi i të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të Kosovës me Bashkimin Evropian, pezullimi i financimit të programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike, janë disa nga masat ndëshkuese për Kosovën që pritet të shpallen gjatë javës nga Bashkimi Evropian.
Drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për zgjerim, Gert Jan Koopman, tha se masat janë rrjedhojë e mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
Ai e bëri këtë paralajmërim gjatë një debati në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Evropian së bashku me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Zoti Koopman tha se vendimi për masat nuk është marrë “me lehtësi”, ndërsa nënvizoi se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen sapo të hidhen hapat për shtensionimin e situatës.
Kriza në veri të Kosovës pasoi vendimin e autoriteteve për zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.
Zoti Lajçak tha se kërkesat e Bashkimit Evropian të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara për uljen e tensioneve përfshijnë tërheqjen njësive të posaçme të policisë së Kosovës dhe protestuesve nga ndërtesat komunale. Kryetarët e komunave të punojnë nga zyra alternative, thonë ata. Po ashtu kërkohet shpallja e zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen e serbëve pa kushte.
Ai tha se janë dy mundësi për shpalljen e zgjedhjeve. Mundësia e parë është përmes dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri, ndërsa mundësia e dytë është largimi i kryetarëve përmes një referendumi lokal.
“Ky është proces më i gjatë por me gjasë politikisht më i lehtë dhe ne po punojmë për të nxitur këtë zgjidhje”, tha zoti Lajçak.
Ai ritheksoi shqetësimet për mundësinë e ripërtëritjes së veprimeve të dhunshme, të ngjashme me ato të 29 majit kur dhjetëra pjesëtarë të forcave të NATO-s u plagosën në përleshje me protestuesit serbë. Zoti Lajçak tha se përgjegjësit për dhunën në veri duhet të dalin para drejtësisë dhe misioni evropian për Sundimin e Ligjit është i gatshëm të vëzhgojë proceset ndaj tyre.
I kritikuar nga një numër anëtarësh të Komisionit, për siç u tha “përkëdhelje” të Beogradit dhe qasje të ashpër ndaj Kosovës, zoti Lajçak tha se kritikohet nga të dyja palët.
“Unë jam mjaft i drejtpërdrejtë në takime me ta. Por, qortimi publik dhe fajësimi do të ishte rrugë drejt katastrofës në dialog”, tha ai.
Zoti Lajçak dhe zoti Kopman shmangën përgjigjen në kërkesat e deputetëve që të përcaktohen masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë, duke theksuar se “nga të dyja palët kërkohen veprime dhe hapa konkretë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




