Gazeta Si - Ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici do të qëndrojë në burg pas vendimit të marrë nga GJKKO për akuzën e "korrupsionit pasiv".
Ndërsa Alma Kaçi, 40-vjeçarja, e cila e filmoi ish-kryebashkiakun duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e Bashkisë së Kukësit, do të qëndrojë në "arrest shtëpie".
Gjatë daljes nga SPAK, protagonistja e videos erotike, mbante në kokë një kapele sportive me numrin "69", duke tërhequr interesimin e mediave.
LEXO EDHE:
- SPAK arreston Safet Gjicin. Po u provua akuza për korrupsion pasiv, ish-kryebashkiaku i Kukësit rrezikon 2-8 vjet burg
- U kap në video seksuale, Safet Gjici dorëhiqet: Kam marrëdhënie intime me vajzën, pavarësisht se rashë në kurth. S’mund të punoj më në atë zyrë
Gjatë zhvillimit të seancës të GJKKO-së, Safet Gjici ndodhej brenda kafazit të gjykatës, ndërsa gruaja e videos intime jashtë tij.
Në sallën e GJKKO, përballë trupës gjykuese, Safet Gjici ka deklaruar se nuk ka shkelur ligjin. Ndonëse në videon e publikuar u pa teksa diskutonte me Alma K., për një tender për kastrimin e qenve të Kukësit, Gjici thotë se nuk ka pasur një projekt konkret të vënë në zbatim. Sipas tij, e gjitha ka qenë një kurth nga njerëzit që e kishin inat.
“Unë u ndëshkova për veprimin që kam bërë, unë e mora dënimin për gabimin që kam bërë. Nuk ka projekt, nuk kemi parë projekt, nuk kam shkelur ligjin. Rashë në kurthin e atyre që s’më duan, por nuk kam kryer asnjë shkelje ligjore”, ka thënë Gjici.
Avokati Përparim Kulluri nga ana e tij kërkoi një masë më të butë sigurie me pretendimin se nuk ka elementë të veprës penale të “korrupsionit” në veprimet e kryera nga Gjici.
Sa i takon Kaçit, ajo mbërriti në GJKKO rreth orës 12:00 dhe kishte vendosur një kapele në kokë, pasi zbriti nga makina e policisë, si dhe mbante një çantë para që të mos i dallohej fytyra.
Ajo u njoh me masën e sigurisë, pasi u la në "arrest shtëpie të shtunën" për “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
51-vjeçari Safet Gjici akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” neni 260 i Kodit Penal, ku nëse do provohet akuza, ai mund të dënohet me burgim nga 2 deri në 8 vjet.
40-vjeçarja Alma Kaçi, akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë“, neni 245 i Kodit Penal, ku nëse do provohet akuza, mund të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Avokatja e Alma K.,: Duhet të ishte pa masë sigurie, ka fëmijë dhe nënën sëmurë
Natasha Veliaj avokatja e Alma Kaçit, në një prononcim për mediat, tha se kishte kërkuar një masë më të butë, për shkak se Kaçi është nënë e një fëmijë 12-vjeç dhe ka nënën e sëmurë, e po ashtu është e vetmja që sjell të ardhura në familje.
Më falni, të gjithë këto përgjigje unë nuk është se do ua jap, thjeshtë do ju jap përfundimisht çfarë i kërkova gjykatës. Që normalisht e akuzuara, klientja ime, të jetë pa masë, ose detyrim paraqitje, duke qenë se është prind i një fëmijë 12-vjeçar, ka një nënë të sëmurë në shtëpi, dhe është e vetmi person që sjell të ardhura në shtëpi. Por gjykata nuk e pranoi do vazhdojë me hetimit gjatë gjithë kohës me arrest në shtëpi.
E pyetur nëse Kaçi është autorja e videos avokatja tha: “Të tjerat jo, nuk jam e autorizuar sepse jemi akoma në fazën e hetimeve”.
“Absolutisht jo, sepse ka një fëmijë 12-vjeçar, më falni, no coment tjetër”, u përgjigj edhe kur u pyet nëse klientja e saj ka tentuar të largohet.
Sakaq, avokati mbrojtës i Gjicit ka deklaruar se ish-kryebashkiaku i Kukësit nuk ka kryer veprën penale të korrupsionit, pasi për projektin në fjalë është diskutuar, por nuk është miratuar.
Sipas burimeve nga SPAK, hetimet janë shtrirë edhe te personat që dyshohet se kanë shtyrë vajzën të kryejë regjistrimin apo për të mësuar motivin pse është bërë.
Prokuroria po heton edhe deklarimet e Safet Gjicit, i cili në një reagim publik ka deklaruar se është shantazhuar.
Të dyja palët pretendojnë për një lidhje intime mes tyre, por Kaçi nuk ka shpjeguar pjesën më të rëndësishme në këtë histori se cila është arsyeja e regjistrimit të videos.
Ndërkohë, gruaja në dëshminë e saj, ka thënë se është takuar vetëm dy herë me Gjicin, ku herën e parë i ka prezantuar projektin për tenderin për qentë dhe sipas saj është ndjerë e ngacmuar seksualisht nga vetë ai.
Kur shkoi herën e dytë në zyrë, ajo vendosi vetë të pranojë seks oral me krybashkiakun, ndërsa kishte aktivizuar dhe aparatin e filmimit.
Ditën kur edhe janë filmuar skenat intime, ajo thotë, se kishte marrë me vete një çantë dhe dosjet me projektin që kërkonte nga bashkia e Kukësit në lidhje me qentë.
Dyshohet se mekanizmi përgjues ishte vendosur brenda gotës prej kartoni me pije freskuese.
Hetimet për Safet Gjicin nisën disa ditë më parë pas publikimit në rrjetet sociale të një video me përmbajtje erotike, ku ish-kryebashkiaku kryente marrëdhënie intime me shtetasen Alma Kaçi.
Pas aktit seksual, ata diskutojnë në zyrë për një projekt që do të financohej nga Bashkia për izolimin e qenve endacakë në Kukës. Menjëherë më pas, Gjici thërret në zyrë një nga vartësinë e tij që të merret me dokumentacionin që do dorëzojë Alma Kaçi.
Të gjitha këto veprime të kryera në harkun kohor të pak minutave, sipas SPAK kanë ngritur dyshimet se ish-kryebashkiaku dhe gruaja në video kanë konsumuar veprën penale të korrupsion.
Edhe pse dha dorëheqjen, qeveria vendosi ta shkarkojë kryebashkiakun socialist pak orë pas skandalit. Gjici drejtonte prej vitit 2019 Bashkinë e Kukësit dhe fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet e 14 majit, mandat që e ndërpreu pa filluar mirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.