Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët u liruan nga autoritetet e Serbisë, arritën në Kosovë përmes vendkalimit kufitar në Merdare.
Pasi kaluan kontrollin serb, ata hynë në makina të Policisë së Kosovës dhe u nisën drejt Prishtinës, pa u deklaruar për mediat që ishin të pranishme.
Të arrestuar nga forcat serbe qysh më 14 qershor, ata u liruan paraditen e së hënës, konfirmoi avokati i tyre, Gradimir Nalliq, për Radion Evropa e Lirë.
Drejtësia në Serbi i ngarkoi tre policët – Beqir Sefa, Mustafë Shemi dhe Rifat Zeka – me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.
Atyre iu dha masa e paraburgimit më 16 qershor, por nuk ishte e qartë kohëzgjatja e saj.
Arrestimi i tyre nxiti reagime të shumta si në Kosovë, ashtu edhe te bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkoi vazhdimisht lirimin e tyre.
Qeveria e Kosovës pretendoi se ata janë arrestuar në territorin e saj, por në Serbi e mohuan këtë.
Para disa ditësh, në një konferencë për media, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla, kanë shpalosur detaje për vizitën e ambasadorit Jetishi te tre policët kufitarë.
Kurti tha se policët i kanë rrëfyer Jetishit momentin e rrëmbimit nga njësitë serbe.
“Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë kur pyetën ndaras nga njëri-tjetri nga ambasadori ynë. Përshkrimi i policëve është i njëjtë. Janë tri rrëfime të ndara identike, të cilët thonë se në momentin e rrëmbimit më 14 qershor kanë qenë tek tryeza e improvizuar për ngrënie. Pra kanë qenë duke ngrënë drekë kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe rrëmbyer”, ka thënë Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




